OBSH: COVID-19 mund të ketë vrarë mbi 80 mijë punonjës shëndetësorë

COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi, mund të ketë shkaktuar vdekjen e 80,000 deri në 180,000 punëtorëve shëndetësorë në botë, ka thënë të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kjo kategori duhet të ketë prioritet për vaksinim, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, teksa ka kritikuar padrejtësinë në shpërndarje të vaksinave. Vdekjet kanë ndodhur në periudhën janar 2020 deri në maj të këtij viti.

Më herët, një tjetër zyrtar i lartë i OBSH-së, ka paralajmëruar se mungesa e vaksinave mund ta vazhdojë pandeminë edhe në vitin e ardhshëm.
Aktualisht në botë besohet se janë 115 milionë punëtorë shëndetësorë. Pamje gjatë dezinfektimit të stacioneve të metrove në Moskë. Fotografi nga arkivi.
“Të dhënat nga 119 shtete sugjerojnë se mesatarisht dy në pesë punëtorë shëndetësorë në botë janë plotësisht të vaksinuar”, ka thënë Tedros.

“Mirëpo natyrisht, kjo mesatare fsheh dallime të mëdha në mes të rajoneve dhe gjendjeve ekonomike”. Më pak se një në 10 punëtorë shëndetësorë është i vaksinuar plotësisht në Afrikë, ka thënë ai, në krahasim me tetë në 10, në vendet e pasura. Më pak se 5 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar kundër koronavirusit, në krahasim me 40 për qind në shumicën e kontinenteve tjera. Shumica e vaksinave janë shpërndarë në vendet kryesisht të pasura.