OBSH: COVAX siguron dy miliardë doza të vaksinave për vendet e varfra

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ka siguruar marrëveshje për dy miliardë doza të vaksinave kundër coronavirusit, në kuadër të programit COVAX që synon qasje të drejtë dhe të barabartë të vaksinave në të gjithë botën.
“Drita në fund të tunelit po bëhet më e ‘ndritshme’”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, dozat e siguruara janë nga AstraZeneca, Johnson & Johnson, Novovax dhe Sanofi/GSK, megjithëse asnjëra vaksinë e tyre nuk është autorizuar ende për përdorim.
Në një deklaratë, thuhet se të gjitha 190 ekonomitë që kishin nënshkruar pjesëmarrjen në COVAX, do të kishin qasje në gjysmën e parë të vitit 2021; dërgesat e para pritet të fillojnë në tremujorin e parë të vitit 2021- në varësi të miratimeve rregullatore dhe gatishmërisë së vendeve për shpërndarje.

Zyrtarët e OBSH-së patën paralajmëruar këtë javë se një mungesë prej 28 miliardë dollarësh në financim do të thoshte se vendet e varfra dhe me të ardhura të ulëta mund të mbeteshin pas në një përleshje për të blerë vaksinat.
Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI), i cili gjithashtu ndihmoi në ngritjen e nismës, tha se aleanca COVAX, gjithashtu ishte në bisedime me Pfizer-BioNTech, e cila është aprovuar në SHBA, dhe me Moderna-n, e cila pret që vaksina e saj të aprovohet në SHBA.