Nxori në ofertë mishin e derrit për Bajram, Ahmed Kalaja irritohet me supermarketin “Xhangolli”: Dikush duhet të mbajë përgjegjësi

Imami i Xhamisë së Rrugës së Kavajës, Ahmed Kalaja ka reaguar i irrituar ndaj një reklame të bërë nga supermarketet “Xhangolli” në kryeqytet një ditë para Fitër Bajramit.

Rrjeti i supermerketeve ka publikuar ofertat dhe mes produkteve ishte edhe mishi i derrit.

Çudira Shqiptare… Nuk po kuptoja çfarë kishte ndodhur. A derri u tundua e doli për Bajram?! Apo ‘Bajrami’ kishte dalë nga Islami?! Dikush duhet të mbajë përgjegjësi!!! E pakta të kërkojë ndjesë. GËZUAR”, shkruan imami Ahmed Kalaja, duke kërkuar nga supermarketi të kërkojë ndjesë.

Rrjeti i supermarketeve është përgjigjur në postimin e Imamit. Përmes një reagimi thotë se produktet janë për të gjithë konsumatorët dhe ata nuk kanë dashur të fyejnë askënd. Madje, theksojnë se dhe vetë drejtuesit janë myslimanë.

“Supermarket Xhangolli dëshiron të bëj këtë komunikim zyrtar për të gjithë besimtarët myslimanë lidhur me disa komente në rrjete sociale

Si familje myslimane që jemi, në asnjë moment nuk kemi dashur të fyejmë besimtarët dhe komunitetin mysliman. Ofertat në supermarketet tona janë për të gjithë konsumatorët, dhe ne këtë herë uruam edhe veçanërisht besimtarët myslimanë.

Megjithatë kërkojmë ndjesë nëse dikush është prekur, nuk kemi patur asnjë qëllim të tille”, thuhet në reagimin e rrjetit të supermarketeve Xhangolli.