Nxënësja e ngacmon ish-profesorin nga Suhareka, avokati: Është e fiksuar pas tij

Dje në degën e Gjykatës Themelore në Suharekë është mbajtur një seancë gjyqësore ku është trajtuar rasti i ngacmimit nga një nxënëse për ish-profesorin e saj – rast i cili është duke u trajtuar që nga viti 2018.
Avokati i palës së dëmtuar, që në këtë rast është profesori, Ruzhdi Gashi, ka thënë se ish-nxënësja e shqetëson ish-profesorin dhe është e fiksuar me të.

“Objekt i çështjes është ngacmim nga ana e një femre për një profesor të nderuar dhe të respektuar. I dëmtuari që e përfaqësoj unë është ngacmuar nga një femër, ish-nxënëse e tij para 5-6 vjetësh. I ka dhënë mësim dy ose tre muaj dhe ajo shkon te vendi i punës, në rrugë, në shtëpi ose kudo që është diku. I çon mesazhe në Facebook, Instagram dhe rrjete të tjera sociale. E shqetëson me pretendimin që “unë të dua” dhe asgjë tjetër”.

“E kam pyetur profesorin nëse ka pasë ngacmim, joshje ose lidhje me të të mëhershmë që e ka nxitur femrën. Ai deklaron se nuk ka pasë absolutisht asgjë më herët, por asaj i është fiksuar dhe i shkon pas dhe e shqetëson. Për ta vërtetuar këtë që e thotë pala e dëmtuar edhe vetë e akuzuara nuk deklaron asgjë tjetër pos asaj që thotë ‘Unë e dua’. Edhe në deklaratat që ka dhënë në polici, prokurori dhe gjykatë nuk thotë se ka pasë ngacmim ose joshje”.

Gash në Klan Kosova, ka thënë se vajza është dënuar një herë, por e njëjta e ka përsëritur veprën penale.
“Ajo në gjykatë e pranoj fajin, por nuk heq dorë nga veprimet e saj që shqetësojnë vazhdimisht. Nga biseda që pata me profesorin del se vitin e fundit i ka më të rralla shqetësimet. Ndoshta edhe me vendimin e gjykatës do ta kuptojë që dashuria nuk bëhet me zor. Mendoj që ka një fiksim për arsye të shumta që unë nuk jam profesionalisht i lëmisë për t’i shpjeguar”.

Avokati i palës së dëmtuar në këtë proces gjyqësor ka thënë se pala e akuzuar i është nënshtruar edhe një ekzamiminimi mjekësor i cili ka rezultuar të jetë në rregull.