Maturantët e shkollave të mesme i dhanë fund bojkotit të nisur bashkë me gjysmëvjetorin e dytë të shkollës. Nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme thanë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat, por gjatë fundjavës mbetet të vendoset se në çfarë forme do të vazhdojnë t’i kërkojnë të njëjtat. Tashmë në Kuvend ata u kanë dorëzuar kërkesë deputetëve nga të cilët kërkojnë mbështetje për realizimin e kërkesave të maturantëve, madje edhe ndryshime në Ligjin për Arsim të Mesëm.
“Të mbështesin publikisht kërkesat e UNSHM-së dhe maturantëve dhe në të njëjtën kohë të punojnë në drejtimin që ministria e Arsimit dhe Shkencës ti pranoj të njëjtat kërkesa. Kërkojmë që të përdorin pozitën e tyre si deputet, si të përzgjedhurit e popullit që të kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të sillet pak me më shumë profesionalizëm në qasjen e problemit që e kemi me maturën shtetërore dhe jo çdo ditë e më shumë të injorohen kërkesat legjitime të maturantëve. Të propozohet dhe të miratohet një propozim ligjor, një zgjidhje ligjore me të cilën do të pranohen kërkesat tona dhe do të ndryshohet ligji për arsimin e mesëm”, tha Blendi Hodai, UNSHM-ja.
Nga UNSHM-ja përsëriten se do marrin pjesë në provimin shtetëror, por, me kusht që të jenë vetëm dy lëndë. Lënda e parë të jetë gjuhë amtare, lënda e dytë të jetë zgjedhore dhe një projekt. Nëse nuk pranohen këto kërkesa, atëherë paralajmërojnë se do të dalin në rrugë, për të protestuar për të drejtat e tyre. Nga ana tjetër edhe ministrja e Arsimit, Milla Carovska nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për maturën shtetërore. Ajo ka apeluar maturantët të kthehen në mësim pasi sipas Carovskës, bojkoti është i pajustifikuar dhe çdo orë e humbur sipas Ligjit duhet të kompensohet.