Nxënësit maqedonas do të mësojnë gjuhën shqipe


Informacionet e fundit nga Maqedonia tregojnë se 11 shkolla të mesme të Shkupit kanë filluar realizimin e projektit “Flas në gjuhën e shokut tim”, si një prej aktiviteteve kryesore të Strategjisë të Qytetit të Shkupit për integrimin ndëretnik dhe përfshirjen e qytetarëve.

Siç kumtoi Qyteti i Shkupit, në kuadër të këtij projektit do të realizohen kurse tremujore falas për mësimin e gjuhës maqedonase, shqipe dhe turke, të dedikuar për nxënësit dhe mësimdhënësit gjuha amtare e së cilëve është e ndryshme prej asaj të kursit të zgjedhur.“Duke i vizituar kurset, nxënësit do të kenë mundësi të fitojnë aftësi të flasin në gjuhën në të cilën flasin bashkëmoshatarët e tyre, që do të kontribuojë për socializimin e tyre gjuhësor. Për këtë aktivitet interes kanë shprehur gjithsej 1.173 nxënës dhe 69 mësimdhënës. Prej tyre 769 nxënës (të ndarë në 20 grupet) do të zbatojnë kursin për mësimin e gjuhës maqedonase, 224 nxënës dhe 69 mësimdhënës (në 15 grupe) do ta vizitojnë kursin për gjuhën shqipe dhe 180 nxënës (në 13 grupe) do ta ndjekin kursin e gjuhës turke”, shtohet në kumtesë.

Kurset në aspektin logjistik dhe financiar do të mbështeten nga Qyteti i Shkupit, do t’i mbajnë mësimdhënësit e punësuar në shkollat e mesme, ndërsa do të realizohen në shkollat “Zdravko Cvetkovski”, “Nikolla Karev”, “Vllado Tasevski”, “Arseni Jovkov”, “Dr. Pançe Karagjozov”, “Boro Petrushevski”, “Zef Lush Marku”, “Josip Broz Tito”, “Dimitar Vllahov”, “Georgi Dimitrov” dhe “Vëllezërit Milladinov”.