Nxënësit kërkojnë heqjen e maskave në shkolla

Nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm janë më të bindur ndaj respektimit të masave për mbrojtje nga Covid 19, posaçërisht në mbajtjen e maskave. Mirëpo, siç thonë nxënësit, mbajtja e maskës për 5 ose 7 orë të plota tashmë ka nisur të shkaktoj vështirësi dhe nervozizëm gjatë procesit mësimor. Prandaj, kërkojnë lehtësimin e masave.

“I respektojmë të gjitha rekomandimet, I dezinfektojmë duart, i mbajmë maskat por është problem sepse dikush ka ndonjë sëmundje dhe I bën problem. Shtatë orë të mësimit nuk mbahet maska por do I përballojmë të gjitha këto vështirësi, më mirë është me maska se sa mësim online”.

“Nuk më pengon tepër por në disa momente, kur kam kollitje me pengon në frymëmarrje”.
Siç thonë nxënësit, vështirësitë më të mëdha paraqiten gjatë shpjegimit të detyrave.
“Kemi pak problem edhe gjatë shpjegimit të detyrave. Ndonjëherë kur shpjegon mësuesi nuk e dëgjojmë por përsëri e pyesim derisa ta kuptojmë si duhet”.

“Po ashtu edhe mësuesit kur shpjegojnë nuk vjen zëri që të mund ta dëgjojmë gjithë klasa”.
Heqjen e maskave e kërkojnë edhe mësimdhënësit duke kujtuar se mbajtja e tyre e rregullt është vetëm brenda objekteve shkollore.

“Unë gjatë orës time u them nxënësve që ti largojnë maskat deri te hunda që të marrin frymë lirshëm sepse 7 orë janë shumë ndërsa rekomandimet thonë se tre maska duhet ti bartin apo ti ndërrojnë brenda ditës. Kushton që ato tri maska ti ndërrojnë, nuk mundet ti përballojnë nxënësit ato kushte që I rekomandon ministria”.

“I shohim restorantet, marketet ose nëpër parqe, bëhet grumbullimi I nxënësve, I të rriturve, I të moshuarve. Ose, kohën e fundit që I patëm zgjedhjet, nëpër mitingje shumë pak ishte vendosja e maskave duke filluar prej liderëve deri te qytetari I thjeshtë, ndërsa në shkollë kërkojnë protokolle, sidomos ato që e sjellin ligjin ato nuk i përmbahen ligjeve”.

Nga Ministria e Shëndetësisë sërish thanë se për momentin nuk shqyrtohet mundësia për heqjen e maskave në shkolla. Ndërkohë, Inspektorati Sanitar Shëndetësor tashmë ka kryer mbi 500 kontrolle në shkollat fillore dhe të mesme të vendit, për të konfirmuar nëse po respektohen protokollet për mbrojtje nga Covid19 ndërsa deri më tani nuk ka hasur në shkelje.