Sot është Dita Ndërkombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë. Në këtë ditë të rëndësishme, në shkollën fillore “Sami Frashëri” në fshatin Pirok, komuna e Bogovinës, 180 nxënës kanë bërë një ushtrim në kuadër të projektit “Përmirësimi i rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut”, shkruan Pa Censurë. Ky projekt financohet nga Zvicra dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo shkollë e cila më parë ka qenë e rrezikuar nga rrëshqitjet e tokës, sot ka kryer me sukses stërvitjen e një evakuimi që përfshin menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe evakuimin e nxënësve dhe stafit duke përdorur pajisje, harta evakuimi, mjete ndihmëse, shenja, dhe plane evakuimi të përgatitura nga ekipi i projektit. Kjo stërvitje ishte planifikuar dhe organizuar me kujdes me ndihmën e ekspertëve të angazhuar nga projekti.
“Zvicra është e përkushtuar për t’i mbështetur qytetarët e rajonit të Pollogut në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera. Ky është një proces i gjatë dhe unë përshëndes guximin e të rinjve për të marrë pjesë në një stërvitje të tillë dhe dëshirën e tyre për t’u përgatitur për skenarët e ardhshëm. Nëpërmjet këtij aktiviteti ne synojmë të rrisim kapacitetet e institucioneve dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të komunitetit të ekspozuar ndaj rrezikut të fatkeqësive të ardhshme. Komunat, institucionet dhe qytetarët në rajonin e Pollogut duhet të punojnë së bashku për të krijuar një mjedis volitshëm për përmirësimin e qasjes në sistemet e paralajmërimit të hershëm, me çka do të rritet gatishmëria e bashkësisë si dhe mbrojtja e tyre”, theksoi ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, znj. Veronik Hulman.
Në stërvitje, që është i pari i këtij lloji në Komunën e Bogovinës, përveç nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës Sami Frashëri, janë përfshirë edhe anëtarë të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq.
“Këtë vit, Dita Ndërkombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë i kushtohet përmirësimit të qasjes në sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe informimit për rreziqet për të gjithë. Ne zgjodhëm ta zhvillojmë këtë ushtrim në këtë ditë për të punuar me më të rinjtë. Fëmijët duhet të shijojnë fëmijërinë dhe ditët e shkollës pa brenga, por edhe të jenë të përgatitur nëse është e nevojshme. Nuk mjafton që një sistem paralajmërimi të hershëm të identifikojë saktë një rrezik të afërt, ai duhet të sigurojë që popullatat dhe sektorët në rrezik ta marrin paralajmërimin, ta kuptojnë atë dhe, më e rëndësishmja, të përgjigjen në përputhje me rrethanat. Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë, ne zotohemi të punojmë së bashku për të ndërtuar një botë më të sigurt dhe më rezistuese”, tha Armen Grigorjan, Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së.
Këtu mori pjesë edhe ministri i MMJPH Naser Nuredini ku tha se , angazhimi i të rinjve në linjat e para të aktiviteteve për uljen e rrezikut është i rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve të gatishmërisë së fëmijëve dhe rritjen e njohurive të tyre në lidhje me rrezikun nga fatkeqësitë. Ata gjithashtu duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe t’i njohin ato. Fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve është mënyra më e mirë që bota të ndërtojë komunitete rezistuese, sepse ata janë kategoria më e cenueshme dhe shtytësit tanë të ndryshimit në ndërtimin e një bote rezistente ndaj fatkeqësive.