Nxënësit e Leshnicës s’kanë shkollë, detyrohen mësimin ta zhvillojnë në xhami

Në mungesë të objektit të shkollës, këta fëmijë mësimin e zhvillojnë në xhami. Bëhet fjalë për nxënësit e fshatit Leshnicë të komunës së Zhelinës. Shkolla që kishin më herët nuk plotëson asnjë kusht elementar. Por edhe në objektin e xhamisë nuk është e lehtë. Kryetari i bashkësisë lokale thotë se mësimi në këtë objekt është sfidë në vete, pasi nxënësit nuk mund të ndjekin orët e plota, për shkak të kohës së namazit.

“Prej vitit paraprak shkolla është prishur dhe nxënësit kanë nis mësim tek xhamia, tek mejtepi kanë nis. Janë katër klasë, dy klasë mësojnë me një dhomë tre me tre dhe dy klasë mësojnë tek mejtepi ku i mbajmë mbledhjet në fshat. Kushte këtu tek xhamia nuk ka. Nuk ka as ngrohje. Jemi me parno tu i ngrohë nxënësit. Por një parno çka mund të ngrohe. Normal që na pengon se vjen koha drekës, vjen koha e xhumasë dhe gjithmonë nxënësit janë me mungesë mësimi. Shkojnë më herët në shtëpi për ta liruar objektin e xhamisë”, ha Munim Xhelili nga Bashkësia lokale Leshnicë.

Xhelili thotë se nga komuna edhe drejtoria e shkollës kanë premtuar se kjo shkollë do të kryhet para zgjedhjeve lokale edhe se nxënësit mësojnë në shkollë e jo në xhami.
“Kemi pas kontakte me kryetarin e komunës dhe me drejtorin e shkollës. Drejtori erdh kur nisi viti shkollor në fshatin tonë, na premtoi se para zgjedhjeve do të behët shkolla, dimri nuk do i zë këtu, do jeni në shkollë, po ja realisht nuk është bërë”, tha më tej Xhelili.

Kryetari i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu javë më parë në një deklaratë për Televizionin 21, për 100 ditshin e para të punës së tij, tha se e ka prioritet shkollën e fshatit Leshnicë edhe se e njëjta do të ndërtohet.
“Do të nisim së shpejti edhe me shkollën e Leshnicës, aty ku e kemi lënë do ta përfundojmë ashtu siç kemi thënë”, premton kryetari i Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Nxënësit e shkollë së Leshnicës mësimin e kanë ndjekur në një barakë të viteve të pesëdhjeta, ndërsa vitin e kaluar prindërit nuk i lëshonin nxënësit në shkollë për shkak të kushteve të këqija..