Nxënësit e fshatit Sellcë, problem me transportin

Një javë tashmë nxënësit e shkollave të mesme nga fshati Sellcë i malësisë së Sharrit që ndjekin mësimin në Tetovë, hasin në pengesa me transportin. Shpesh, as që ia dalin të mbërrijnë në orën e parë të mësimit, pasi, transporti i tyre bëhet me vetëm dy furgonë që ka kapacitet më së shumti për 8-9 persona, ndërkaq gjithsej janë rreth 55 thonë prindërit e tyre.

Prindërit ankohen se rreth gjysma e nxënësve për çdo ditë kur nisen për në shkollë mbeten në rrugë, duke angazhuar prindërit e tyre që t’i çojnë në shkollë, sepse, kompania që ka angazhuar komuna, ka vetëm dy furgona që marrin gjithsej 18-20 nxënës, ndërsa ky fshat që shihni pas meje, ka 55 nxënës që për çdo ditë frekuentojnë shkollat e mesme të qytetit të Tetovës.

“Nxënësit janë duke u maltretuar sepse me një kombi shkojnë 15-16 nxënës. Ata janë të rritur më. Grumbull i marrin në një kombi 16-17 nxënës”, tha një prind.
“Ka afërsisht 55 nxënës, ndërsa vetëm dy kombi janë në qarkullim. Sa mund të bartin ato kombi se di as unë. Tetë persona e kanë limitin tepër shtyjnë nga kjo, dhe tjerët i lënë me taksi privatisht. Djalin tim e kam dërguar privat. Tre ditë ka munguar në shkollë tre ditë e kam dërguar privat”, u shpreh një prind tjetër.

Gazetari: Nëse komuna dhe kompania deri para fillim dimrit nuk gjejnë zgjidhje a do të bojkotoni mësimin?
“Po, sigurisht që po, sigurisht. Edhe kjo javë nëse nuk zgjidhet kjo punë atëherë bojkoti do jetë qind për qind, sepse ankohen prindërit çdo ditë mungojnë nxënës në shkollë”, theksoi një prind.

“Duhet të lëshoj kombi si duhet komuna që të jemi më rehat pak, 17–18 persona ku do hyjnë aty ku do rrinë aty. Kjo është katastrofë”, u shpreh një tjetër prind. Nga sektori për Arsim i komunës së Tetovës, as që ishin të informuar për rastin, edhe pse premtuan zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

“Ne këtë informacion si komunë zyrtarisht nuk e kemi, nuk ka ardhur askush nga prindërit që të ankohet, megjithatë si komunë, do të ndërmarrim gjitha masat dhe me kompanitë e angazhuara për bartjen e nxënësve dhe kjo çështje shumë shpejtë do të zgjidhet”, tha Nazmi Dauti, Shef i sektorit për Arsim.

Fshati Sellcë i malësisë së Sharrit, nuk është fshati i vetëm që ka këtë problem, me mbingarkimin e furgonëve me nxënës me qëllim që pagesat komuna t’i ketë më të vogla. Deri tek ky lloj i bartjes së nxënësve, ka ardhur si pasojë e mos hapjes së tenderit për të caktuar firmën për transportin e nxënësve, shkaku i mungesës së Këshillit të Komunës. Megjithatë Komuna zgjidhi pjesërisht problemin duke angazhuar firma të vogla për bartje të nxënësve deri në hapjen e tenderit për to./Alsat.mk