Nuredini: Situata alarmante në Tetovë, e përkrah kolegun Memeti për karantinë

Situata vazhdon të jetë e rëndë në qytetin e Tetovës nga të infektuarit me Covid 19. Vetëm në 24 orët e fundit jetën e kanë humbur 9 persona, kurse 124 vazhdojnë të jenë të shtrirë në spital. 122 prej tyre janë me oksigjen terapi.

“Nga pacientët që kemi të hospitalizuar kemi 124 pacientë, nga këta pacientë me rëndësi është të dini se 13 pacientë janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 3 pacientë kanë marrë dozën e dytë me çka 90% e pacientëve që kemi hospitalizuar janë pacientë që nuk janë hospitalizuar. Sa i përket numrit të vdekurve kemi 9 pacientë të cilët ishin me sëmundje vërtetë të rënda. Sa i përket pranimit kemi pasur 18 pranime mbrëmë. Kontrolle në ambulant kemi pasur 209 edhe lirisht mund të them mbi 90% janë Covid pacientë”, tha Gëzim Nuredini – koordinator i Covid-Qendrës – Tetovë.

Në spital gjatë ditës së djeshme ndihmë kanë kërkuar 209 pacientë nga ku 90% e tyre nga testet e bëra kanë dalë pozitiv, ndërsa spitali është i stërmbushur. Tre pacientë janë detyruar që t’i nisin për në spitalin e Shkupit. Sipas Nuredinit, infektologu Memeti nga Gostivari gjatë ditës së djeshme që kërkoi karantinë për Gostivarin mendon se ka të drejtë pasi që edhe në Tetovë situata është alarmante.

“Nuk e di nëse besoni se këtë e menduam edhe ne këtu që jemi pasi që në bazë të terrenit që ne e shohim edhe pse të dhënat nuk janë zyrtare, po e them se nuk ka shtëpi që nuk ka njeri pozitiv. Kjo nuk është zyrtare, por është prognozë dhe atë që e ka thënë kolegu nga Gostivari zë vend si duhet”, shtoi koordinatori i Covid-Qendrës në Tetovë, Gëzim Nuredini.

Sipas Nuredinit spitali i Tetovës tani për tani është i stërmbushur me Covid pacientë , por akoma tani për tani nuk i mbyllin repartet tjera për shkak se ka edhe rast tjera urgjente. Deri më tani nga ministria e shëndetësisë nuk kanë përfituar asnjë ndihmë, sa i përket personelit apo pajisjeve. Edhe pse një gjë do të ishte e nevojshme pasi në spitalin e Tetovës tani për tani i gjithë stafi mjekësore është në punë duke i ndërprerë edhe pushimet vjetore që u kanë takuar. Rajoni i Pollogut vazhdon të jetë që vatër e të infektuarve.