Nuredini për Ujëvarat e Kamjanit: “Dëshmuam se dimë si të tërheqim turistë” (VIDEO)

Një atraksion turistik ju shtua rajonit të Tetovës. Në Kamnjan në mënyrë zyrtare u lëshuan në përdorim tetë ujëvarat. Në këtë manifestim morën pjesë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, ministri i ambientit jetësor Naser Nuredini si dhe përfaqësues nga komuna e Bogovinjës ku edhe gravitojnë këta ujëvara.

“Apeloj tek të gjithë ta duam dhe ta ruajmë ambientin dhe pasurinë e saj. Atë që na ka falur Zoti dhe natyra janë pasuria jonë më e shtrenjtë.” – deklaroi Manir Rexhepi – kryetar i Bashkësisë Lokale. Kryetari i komunës tha se këto ujëvara kanë sjell një numër të madh turistësh.

“Puna e palodhshme e tyre për një periudhë më të gjatë kohore sot po rezulton me një sukses të madh ku gjithandej përmenden ujëvarat e Kamnjanit. Dita ditës shtohen turist jo vetëm nga komunat tona por edhe fqinjë si dhe së fundi po bëjmë jehonë edhe në shtetet fqinje.”- pohoi Besnik Emshiu- kryetra i komunës Bogovinës.

Ministri ekologjisë Naser Nuredini i cili edhe vjen nga ky fshat thotë se banorët me këtë treguan se e duan natyrën dhe dinë si të tërheqin turistë.

“Kjo tregon një mënyrë se si ne kujdesemi për mbrojtjen e natyrës, si e kemi shpall pjesën e Osogovës dhe Malishevës të mbrojtur, por edhe malin Sharr, park nacional. Kjo tregon se qytetarët tanë janë të gatshëm të bëjnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të përdorim natyrën në mënyrën e duhur dhe të krijojmë aktivitete turistike ekonomike në këto rajone.”- pohoi Naser Nuredini – ministër i Ekologjisë.

Tetë ujëvarat janë në lumin e fshatit Kamnjan. Bashkësia lokale në kohë pandemie i zbuloi ato, dhe nga ajo kohë kanë rregulluar infrastrukturën për të arritur në këto ujëvara. Gjatë vikendit aty mund të gjesh turistë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria.