Nuredini: “Pa ndryshuar mënyrën e ngrohjes nuk mund të kemi ajër të pastër”


Përderisa nuk ndryshohet mënyra e ngrohjes, nuk do të ketë zgjidhje afatgjate për ndotjen e ajrit. Kështu deklaroi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili në një intervistë për AIM-n tha se janë miratuar 63 masa që duhet të përmbushen për të arritur ambiciet në lidhje me Marrëveshjen e Parisit. Ai gjithashtu theksoi se për ndotjen e ajrit kanë miratuar ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit dhe kanë përcaktuar masat për vetëqeverisjen lokale, të cilat duhet të merren në rastet e pikut të ndotjes.

“Besoj se është e qartë për të gjithë ne që derisa të ndryshojmë mënyrën e ngrohjes së ndërtesave dhe banesave publike dhe private, gjë që shpresojmë ta arrijmë me ndërtimin e rrjetit të gazit dhe mbështetjen e investimeve për efiçencën e energjisë nuk do të ketë zgjidhje afatgjatë për ndotjen e ajrit. Në këtë fushë si: menaxhimi mjedisor, kalimi i energjisë në burimet e ripërtëritshme të energjisë, gazifikimi dhe një sërë aktivitetesh të tjera që ndikojnë në ruajtjen afatgjatë të mjedisit kërkojnë investime të mëdha dhe Ministria dhe Qeveria po punojnë që t’i ofrojnë ato”, tha Naser Nuredini, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

I pyetur se çfarë shënoi viti 2021 në lidhje me masat e marra nga Ministria e Mjedisit , Nuredini tha se më e rëndësishmja është ndërhyrja ligjore që është bërë për rritjen e gjobave për ndotësit e ajrit.
“Para së gjithash, ndërhyrjet në nëntë ligje mjedisore janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen e gjobave për ndotësit deri në njëzetfish. Mirëpo, përveç kësaj, janë bërë ndryshime në dispozitat materiale, konkretisht në Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit, i cili ka përcaktuar kriteret dhe ka ofruar listën e komunave që do të duhet të përgatisin plane për ajër të pastër për qytetarët e tyre”, shtoi Nuredini.