Numri i rasteve aktive me Covid-19 nuk është real?!

Numri i rasteve aktive nga virusi korona nuk është real. Ka shumë raste, të cilët edhe pse janë shëruar tërësisht nga virusi, figurojnë në listën e rasteve aktive. Një rast i tillë është edhe mes nesh, me gazetaren Anesa Salihu. Ajo ndonëse është e shëruar nga CoVid-19, ende evidentohet si rast pozitiv, duke thënë se kjo përbën shqetësim, si për familjen e saj në rastin konkret, por edhe pengesë për lëvizjen e saj të lirë.

Disa herë jam lajmëruar të pyes se ku ishte problemi që nuk po e merrja vendimin, më thanë se për shkak të numrit të madh të të infektuarve nuk po ia dilnin dot. Unë e mbarova 10 ditëshin e izolimit, megjithatë nuk mora as vendim për izolim, ndërsa që të dilja nga shtëpia më duhej të kisha një vendim se më kishte mbaruar izolimi. Që ironia të jetë më e madhe, ditëve të fundit sapo e pranova vendimin për izolim më thanë se ende figuroj në sistem, që dmth se po më ndaloi policia në rrugë mund të më dënoj dhe në fakt unë nuk kam të drejtë që të udhëtoj jashtë shtetit”, tha Anesa Salihu, gazetare.

Telashe të shumta kanë edhe të punësuarit në institucionet publike e private, të cilët edhe pse kanë kaluar fazën 14 ditëshit, ende figurojnë në listën aktive. Meqenëse, algoritmi i ri nuk i detyron të bëjnë PCR test në ditën e 10 për asimptomatikët dhe në 15 për ata me simptome, për të vërtetuar se janë të shëruar, kompanitë u kërkojnë vendime të daljes nga izolimi. Për këto raste, Ministri Filipçe kërkon që kompanitë mos të kërkojnë vendime, por të marrin si bazë vendimin hyrjes në izolimit.

“Gjithnjë ka një numër të caktuar të pacientëve që presin ndonjë procedurë administrative, duke pas parasysh presionin e madh, prandaj vonojnë edhe rezultatet. Ka mundësi të ketë ndonjë rast që presin më gjatë kohë, por ne jemi të fokusuar më shumë në mbingarkesën e spitaleve”-pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Pas koordinimit të mëngjesit që pati KSI vlerësuan se nuk duhet të rekomandohen masa të reja. Gjithsesi, në bazë të situatës epidemiologjike mund të merren edhe masa të tjera restriktive, tha Filipçe.
Ajo që eventualisht do të mund të propozohet në mënyrë plotësuese është mbyllja e plotë e disa operatorëve ekonomik që në këto momente funksionojnë dhe kufizimi i lëvizjes ose çdo ditë dhe natë gjatë orëve të pasdites dhe të mbrëmjes ose gjatë gjithë kohës së fundjavave”-tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Të dhënat e ISHP-së tregojnë se mbi 16 mijë raste aktive sa janë të regjistruar në vend, gjysma e tyre figurojnë vetëm në Shkup. Ndër vatrat me të prekura në kryeqytet mbetet Komuna e Aerodromit me 1,161 raste aktive, pason Gazi Baba me 1007, Karposhi me 987, Qendra 956 dhe Kisella Voda 922.