Numër më i madh i personave pozitiv me Kovid-19 në një ditë nga fillimi i epidemisë

Rekord 120 persona pozitiv në Kovid-19 nga fillimi i epidemisë në vend janë regjistruar dje në periudhë prej 24 orësh. Këto janë diagnostikuar prej 953 testeve të bëra, ndërsa mbi gjysma (67) janë nga Shkupi. Ky është numri i dytë më i lartë i personave të infektuar gjatë 24 orëve prej 15 prillit kur ishin të infektuar 107 persona. Në statistikën e djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë janë regjistruar edhe dy raste të vdekjes – ka vdekur një pacient nga Tetova në moshën 65 vjeçare dhe një në moshën 69 vjeçare. Me 120 personat e ri të infektuar, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend arriti në 2611. Kanë vdekur 147, ndërsa janë shëruar 1621, kurse aktiv janë 843 raste.

Për shkak të rritjes drastike të rasteve të reja gjatë ditëve të kaluara për shkak të mosrespektimit të masave të mbrojtjes, Qeveria ka vendosur sërish ta kufizojë lëvizjen e qytetarëve për të parandaluar përhapjen e virusit. Pasi u pezullua ora policore 66-ditore (22 mars – 26 maj), pas tetë ditësh pa ndalim të lëvizjes, orë policore u vendos përsëri dhe filloi prej mbrëmë në orën 21

Për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në këto komuna do të zgjasë 80 orë, gjegjësisht deri të hënën në orën 05. Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje e cila filloi mbrëmë në orën 21 do të vlejë deri në orën 05 nesër në mëngjes. Ndalesë për lëvizje do të kenë edhe ditëve të tjera të fundjavës së zgjatur, gjegjësisht edhe të premten, të shtunën dhe të dielën e cila do të fillojë në orën 16 dhe do të zgjasë deri në orën 05 në mëngjes. Për shkak të festës Dita e Shpirtrave ndalesë është vendosur edhe për vizitën në varreza në mbarë territorin e shtetit edhe atë prej sonte prej orës 21 deri të hënën deri në orën 05.

Vendimi për kufizimin e lëvizjes me rekomandimin e Komisionit për sëmundje infektive, sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, do të zvogëlojë seriozisht rrezikun e përhapjes së virusit. Ai tha dje se sipas parashikimeve, pamja e situatës me KOVID-19 do të jetë shumë më e mirë deri në fund të kësaj jave. Pritjet optimiste bazohen në të gjitha të dhënat që ata kanë: numrin e të diagnostikuarve, kohën kur u diagnostikuan dhe masat që përveç kufizimit në terren, zbatohen përmes analizës të hollësishme të kontakteve.

“Por këtë e them sërish me rezervë për shkak se do të bëjmë analiza çdo ditë. Duhet ta kuptojmë se të gjithë jemi përgjegjës para kësaj. Mbi 90 për qind e diagnostifikuarve të rinj tani janë në suaza të klasterëve të njohur, të sëmurë dhe transmetimi i virusit i ndodhur në ngjarje familjare kur janë shkelur rregullat për tubime masive dhe nuk janë mbajtur maska dhe këto masa restriktive shtesë janë vetëm që të mbrohet edhe popullata tjetër. Insistoj të ketë kontroll të rreptë që të konfirmohet nëse respektohen këto masa restriktive sepse pamë se pikërisht mosrespektimi është arsye për këtë që po na ndodh tani”, tha Filipçe.

Ministri u bëri thirrje institucioneve kompetente që të kontrollojnë zbatimin e masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Gjithashtu ai i bëri thirrje ipeshkvit të Dioqezës së Vardarit, Agatangel, ta tërheqë thirrjen drejtuar besimtarëve t’i vizitojnë tempujt sepse varrezat për Ditën e shpirtrave do të jenë të mbyllura.