Numër i ulët mërgimtarësh në Tetovë, bizneset ankohen

Ndryshe nga vitet e tjera, qyteti i Tetovës këtë verë është thuajse i zbrazët. Shumë pak mërgimtarë kanë ardhur në vendlindje për shkak të pandemisë. Pasojat më të mëdha nga kjo i ndjejnë bizneset. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve vetëm sektori i gastronomisë ka rreth 300 milion euro më pak fitim krahasuar me vitet e tjera.

“Rrugë të zbrazura, dyqane dyert e të cilëve hapen shumë rrallë, taksi vetura që rrinë. Kjo është pamja e ditëve të fundit në qytetin e Tetovës. Pa ardhjen e mërgimtarëve, qyteti është bosh. Kjo mos ardhje, ka gjunjëzuar keq bizneset, sidomos ato të voglat në Tetovë”.

“Mosardhja e mërgimtarëve ka ndikuar shumë tek ne. Këtë sezon ka qenë shumë më dobët, ndoshta më shumë se 50 për qind. Me të ardhurat na le shumë pas kjo, nuk di si ta shpjegoj, ndoshta një vit pas na kthen”.
“Neve na ka dëmtu goxha shumë, meqë ne gati katër muaj jemi të mbyllur. Kemi punëtor kemi harxhime fikse që paguajmë..”.

Mungesa e mërgimtarëve sivjet ndjehet kudo, thonë tetovarët, që nga mjedisi familjar, e deri në rrugët e qytetit ku vërehet mungesa e tyre. “Normalisht kemi familjarë që janë në mërgim, e kemi mall, duam ti shohim këtu ata. Por normal situata është e tillë dhe autoritetet e dinë çka është më mirë për shëndetin e tyre, dhe ata e dinë a duhet të vijnë apo jo. Por Tetova nuk është siç ka qenë vitet e shkuara”.

“Tetova është në gjendje të mjerueshme. Derisa nuk ka mërgimtarë nuk ka asgjë askush nuk ka punë. Nuk vijnë sivjet as dasma nuk ka asgjë”. Përndryshe, Pollogu, me mos ardhjen e mërgimtarëve sivjet, sipas përllogaritjeve të ekspertëve të ekonomisë, humb afër 300 milion euro vetëm në sektorin e ahengjeve familjare, ndërsa po aq humbje shënon edhe sektori i ndërtimtarisë./Bashkim Sulejmani