Nuk mund çdo kush të bëhet ministër i jashtëm apo zv.kryeministër

Selim Ibraimi
Diplomacia dhe postet qeveritare të larta nuk janë të lehta ashtu siç mendojnë votuesit, anëtarët e partive politike qoftë këtu edhe anëtarët e kryesive të ngushta partiake. Për në pozita të larta shtetërore, duhen njerëz me përvojë dhe që kanë njohuri për rrethanat politike dhe ndërkombëtare. Këtu rol më së shumti luan përvoja pra njohja e punës, komunikimi, lidhjet me kanalet diplomatike zyrtare dhe personale të diplomatëve dhe mjeshtëria për të prezentuar politikën e jashtme dhe njëkohësisht për të ekzekutuar vendimet e qeverisë.

Personalisht në botën e jashtme jetoj që 27 vjet duke udhëtuar dhe njohur shtetet e zhvilluara dhe të pazhvilluara që nga Ballkani dhe shtetet me demokraci të zhvilluar, duke filluar nga SHBA ku jetoj që 20 vjet, pa përmendur shtetet tjera te Evropës. Nga fillimi i muajit gusht qëndroj në Maqedoni në kohë të pandemisë dhe debateve të nxehta partiake dhe grupore se kush duhet të jetë kryeministër, ministër dhe zv. kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e shqiptarëve në qeverisjen e re 2020-2024. Ky debat tani mendoj se është i gabur nga grupet që synojnë përçarjen e faktorit edhe ashtu të dobësuar politik shqiptar dhe njëkohësisht dëmtojnë përfaqësimin politik të kuadrove të reja në qeverinë e re.

Zërat kundërshtues sipas njoftimeve vijnë nga BDI-ja e Çairit dhe Sarajit që nuk pajtohen me vendimet e Kryetarit të BDI-së dhe Këshillit të Përgjithshëm të partisë që këshilltari i lartë i Ali Ahmetit dhe ish deputeti Artan Grubi të jetë zv. kryeministër dhe ministër i Ministrisë së Sistemit Politik. Zëra të ndryshme kanë ardhur edhe kundër ish ministrit të eurointegrimeve Bujar Osmanit, që tashmë është caktuar nga organet partiake të drejtojë Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht, për lexuesit dëshiroj të sqaroj se nuk jam anëtarë i asnjë partie politike që nga viti 1991 dhe kam ushtruar veprimtarinë e një gazetari profesionist dhe studiuesi. Këtu po jap vetëm një mendim të pavarur dhe profesional pavarësisht qendrimeve të kundërta që i kemi në momente të caktuara për zhvillimet politike në Maqedoninë Veriore dhe në rajon. Për informim të lexuesit, si shtetas amerikan dhe i lindur në MV, pjesën më të madhe të jetës dhe karrierës e kam kaluar në SHBA dhe një pjesë të mirë të karrierës në Ballkan, si gazetarë dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare ku ende vazhdoj të kontribuoj.

Duke e njohur mirë këtë fushë, dëshiroj të sqaroj se për përfaqësim të jashtëm, të politikës së jashtme, më të mirë se Bujar Osmani, BDI-ja dhe kryetari Ali Ahmeti tani për tani nuk mund të gjejnë. Në BDI mund të formohen kuadro të reja në fushën e diplomacisë, por aktualisht Osmani është person që mund ta kryejë këtë detyrë me sukses dhe me profesionalizëm të lartë, duke pasur në vazhdimësi të kaluarën e tij në fushën e eurointegrimeve dhe përvojën e tij gjatë negociatave për emrin, nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, atë me Bullgarinë dhe kuptohet diplomacinë e tij në Bruksel, Uashington dhe njohuritë dhe vizitat e tij specifike të shteteve të rajonit. Nga një ministër, Osmani u kthye në një figurë kryesore të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Tash të jemi realist, se nuk mund çdo kush të bëhet diplomat dhe ministër i jashtëm apo zv. kryeministër. Duhet të posedoohen disa afinitete profesionale, mjeshtëri e njohuri për historinë dhe politikën ndërkombëtare. Mund të jenë të punësuar në ministri dhe të bëhen konzuj, ambasadorë apo drejtorë të një sektori, por jo t’i ketë aftësitë e mprehta të një ministri të jashtëm. Andaj ish ministri Bujar Osmani i ka të gjitha kapacitetet për të qenë ministër i jashtëm.

Zërat për të ndryshuar qëndrimet e larta të kryesisë nuk shkojnë në favor të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore, pavarësisht dallimeve partiake. Në të njëjtën linjë, dëgjohen reagime se anëtarë të kryesisë së BDI-së janë po ashtu kundër Artan Grubit. Mirë, po a mund t’i kryejmë disa punë që i bën Artan Grubi? Sigurisht se duken të lehta nga jashtë por punët shtetërore dhe kryeministria kërkojnë njohje të dinamikave politike dhe të funksionimit të shtetit. Grubi tashmë ka fituar përvojë si këshilltarë i lartë politik i kryetarit Ali Ahmeti, deputet dhe njohës i politikave të Uashingtonit dhe Brukselit. Ai disa herë ka qenë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin Amerikan. Njihet mirë me të gjithë ambasadorët e huaj në vend dhe arrin të depërtojë shpejt.

Vetem një fakt se deri dje, ne si shqiptarë, jemi ankuar se nuk kemi ministër të jashtëm dhe se uebfaqja e ministrisë së jashtme nuk është në gjuhën shqipe dhe se postimet janë vetëm në një gjuhë. Tani kur bëhet gati qeveria të votohet, krijohen antagonizma për poste dhe apetite të reja për zv. kryeministër dhe poste tjera! Por, a mund të gjithë të bëhemi ministra të jashtëm dhe zv. kryeministra?! Sigurisht se jo, dhe porosia ime personale dhe kombëtare, është që fërkimet partiake të tejkalohen dhe lista të votohet ashtu siç është vendosur në Këshillin e Përgjithshëm, duke filluar së pari me kryetarin e parlamentit dhe pikat tjera të rendit të ditës.
Të fala vëllazërore,
Selim Ibraimi, MA International Relations, Webster University, USA. Drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim -Maqedoni (ISSD)