Nuk mjafton rritja e pagave prej 10%! KSL nuk e nënshkruan marrëveshjen kolektive

Ndonëse para pak ditësh pushteti dhe sindikatat u dakorduan për rritje të pagave prej 10% plus 10 mijë denarë si K-15, kjo marrëveshje sot nuk do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave të Lira. Arsyeja për këtë siç thonë nga KSL, është se nuk e pranojnë paragrafin 2 nga neni 14 nga marrëveshja kolektive, e cila parasheh që nëse indeksi i harxhimeve për jetë në gjashtë muajt e parë në vitin 2024 tejkalojnë 3%, paga bruto e të punësuarve në sektorin publik rritet me përqindje, si dallim mes rritjes së indeksit të harxhimeve për jetë, me atë të harmonizuar prej 3%.

“Kjo do të thotë se në vitin 2024 të gjithë që e kanë pagën minimale sipas ligjeve në sektorin publik, nëpunësit shtetërorë, dhënës të shërbimeve, armata e kështu me radhë, kjo do të ndryshojë në ligj. Paga minimale do të largohet dhe njerëzit duhet ta dijnë se kjo rritje është tani, ndërsa e radhës është në vitin 2025.”- deklaroi Bllagoja Ralpovski – Kryetar i KSL.

Ralpovski shprehet se në takimin me këshillin ekonomiko-social nuk do ta nënshkruajnë marrëveshjen e re. Ata kërkojnë harmonizimin e pagave në vitin 2024 dhe të mos hidhen poshtë marrëveshjet e mëparshme kolektive.

“Kërkojmë edhe ne në përputhje me ligjin për pagë minimale të na mundësojnë këtë mundësi ligjore dhe të na harmonizohen pagat në vitin 2024 dhe jo me marrëveshje të përgjithshme kolektive t’i shfuqizojnë të gjitha marrëveshjet kolektive tjera dhe ligjin për pagë minimale. Një gjë e tillë, nga KSL është tërësisht e pa pranueshme, njëzëri është refuzuar nga të gjitha organet, dhe për një gjë të tillë, ne nuk japim nënshkrim.”- Bllagoja Ralpovski – Kryetar i KSL.

Nga Sindikata thonë se gjendja më e vështirë është në sektorin e shëndetësisë. Nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski, thotë se në shëndetësi ende ka punonjës të cilët marrin paga prej 15 mijë denarëve.

“Tek ne harmonizimi i pagave nuk është bërë. Tek ne ka poshtë pagës minimale deri në grupin e katërt të komplikueshmërisë që paguhet. 15-16-17 mijë denarë marrin paga njerëzit. Grupet më të rrezikuara vazhdimisht 3 vjet kërkonim harmonizim me pagën minimale.”- tha Predrag Serafimovski – Nënkryetar i Sindikatës së Qendrës Klinike.

Këto pengesa dhe pakënaqësi vijnë pas marrëveshjes kolektive të arritur me përfaqësues qeveritar. Këta të fundit u shprehën të lumtur dhe e konsideruan sukses afatgjatë.