Nuk lejohet hyrja nga qytetet tjera në Tetovë, policia do të përdorë edhe fotografi për personat që shkelin masat (VIDEO)


Komuna e Tetovës dhe komunat rurale që gravitojnë në Tetovë do të jenë të mbyllura për qytetet e tjera nga dita e martë. Me vendimin e Qeverisë të miratuar në seancën e mbrëmshme, nuk lejohet hyrja në këto komuna nga qytetet e tjera dhe as dalja e tetovarëve nga komunat e tyre në drejtim të ndonjë komune tjetër, përfshirë këtu edhe ato rurale.

Qeveria

“Qeveria solli vendim që prej të martën ndalohet transporti i organizuar i udhëtarëve gjegjësisht ndalesë për hyrje dhe dalje në dhe nga rajoni i Komunës së Tetovës dhe komunave për rreth.

Përjashtim nga kjo ndalesë ka transporti i organizuar që e kryejnë operatorët ekonomikë për të punësuarit e tyre deri në vendin e punës, si dhe transporti i organizuar i personave të punësuar në Ministrinë e punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes – Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të punësuarit në njësitë territoriale të zjarrfikësve në këto komuna”
Në mbledhjen e mbrëmshme Qeveria ka sjellë në sëra masash dhe rekomandimet që kufizojnë në mënyrë edhe më strikte qarkullimin edhe brenda komunës së Tetovës, Kumanovës dhe Prilepit. Banorët e këtyre tre komunave nga e mërkura do të jenë të detyruar që edhe gjatë lëvizjes në qytet ose në hapësira të mbyllura të mbajnë maska ose pajisje tjera mbrojtëse.

Qeveria

“Duke filluar nga 22 prilli 2020 (e mërkurë), vendoset masa për ndalesë të lëvizjes së popullsisë në rajonin e komunave të Kumanovës, Tetovës dhe Prilepit, pa posedim të pajisjes adekuate mbrojtëse (maskë, shall, shami dhe të ngjashme), jashtë shtëpive të tyre, në vende publike dhe sipërfaqe të llojit të hapur ose të mbyllur, si dhe hapësira të mbyllura, markete, shitore ose të ngjashme.

Për këtë qëllim obligohet Ministria e Shëndetësisë të përgatisë për seancën e radhës së Qeverisë dhe të dorëzojë urdhëresë me fuqi ligjore me të cilën juridikisht do të normatizohet kjo çështje, mënyra e implementimit, shfrytëzimit, pajisjes së nevojshme mbrojtëse, si dhe të rregullohet çështja e sasisë minimale të obligueshme (rezervë) që prodhuesit e maskave duhet ta kenë për nevojat e institucioneve shtetërore”

Në njoftimin e Qeverisë paralajmërohet se obligimi për mbajtjen e maskave pas një periudhe kohore do të vlejë edhe për qytetet e tjera. Përveç kësaj Qeveria ka vendosur të ju rekomandojë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në veçanti atyre që jetojnë në rajonin e Kumanovës, Prilepit dhe Tetovës, në përputhje me vendimet, masat dhe rekomandimet e Qeverisë, të reduktojnë daljen jashtë shtëpive të tyre, gjegjësisht këtë të dalin vetëm për nevoja të patjetërsueshme, për të shkuar në vendet e punës, si dhe të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një anëtarë i familjes për të blerë produkte dhe barna në markete dhe barnatore. Për zbatim të këtyre masave dhe rekomandimeve Qeveria i ka dhënë më shumë detyra policisë për të shtuar patrullimet dhe kontrollet.
Qeveria

“Obligim ka marrë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me shtabet komunale për mbrojtje dhe shpëtim, më së voni deri më 21 prill 2020 të përgatisë plan të veçantë operativ për prezencë dhe veprim të pjesëtarëve të policisë në rajonet e komunave Kumanovë, Prilep dhe Tetovë, përmes shfrytëzimit të patrullave të përforcuara dhe prezencës së shtuar të policisë, shfrytëzimit të megafonit nga veturat policore në hapësirat dhe vendet publike, me qëllim kontrollimin e respektimit të vendimeve, masave dhe rekomandimeve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”

Qeveria ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë që një pjesë të donacioneve me pajisje mbrojtje të cilat janë siguruar deri më tani, tu jepen institucioneve shëndetësore në komunat e Kumanovës, Prilepit dhe Tetovës.

Me qëllim respektimin më të madh të masave dhe uljen e nevojës për vendosjen e restrikcioneve të reja, Qeveria ka angazhuar ministrinë e drejtësisë të përpiloje urdhëresë me fuqi ligjote me të cilën do të formalizohet mënyra dhe shqiptimi i dënimeve me dokumentacion fotografik nga vendi ku do të kapen qytetarët, si dhe nivelin e të njëjtave, ndaj të gjithë personave fizik dhe juridik të cilët nuk do ti respektojnë masat dhe rekomandimet e Qeverisë që kanë të bëjnë me grupimin në vende dhe sipërfaqe publike në më shumë se dy persona, për mosrespektim të distancës minimale prej dy metrave dhe për mos mbajtje të pajisjeve mbrojtëse. Grupimi mbi pesë persona do të vlerësohet si vepër penale dhe do të kenë përgjegjësi penale.