Nuk kërkohet dokumente të Covid-19 për personat nën 18-vjeç

Në pyetjen e TV21, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se dokumente të Covid-19, si certifikata e vaksinimit dhe dëshmia se kemi kaluar sëmundjen në 45 ditët e fundit, nuk kërkohen për personat nën 18-vjeç.

Kjo vlen për hyrje në ngjarje dhe objekte hotelerike.
“Dokumente Covid për hyrje në ngjarje dhe objekte të tjera të përfshira në vendimin e Qeverisë, nuk vlejnë për të rinjtë nën 18-vjeç”, thanë nga MSh-ja.

Kjo vjen pasi Qeveria solli vendim se për hyrje në objekte hotelerike, kafene dhe bare, pa dallim të kapacitetit dhe numrit të të pranishmëve si dhe për çdo lloj feste (aheng, festë, dasmë, ditëlindje, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore dhe sportive, kazino, bastore sportive) të ketë të paktën një nga këto dokumente:

Certifikatë për vaksinim kundër Covid-19 të paktën njërën dozë të vaksinës
Vërtetim se e keni kaluar Covid-in në 45 ditët e fundit, duke e përllogaritur ditën e shërimit.
Kjo masë vlen për çdo lloj ngjarje në hapësira të hapura ku ka më shumë persona si dhe për hyrje në qendrat tregtare.