Nuk ka zgjedhje pa një vlerësim të gjendjes me koronavirusin në vend

Pa një vlerësim real të gjendjes shëndetësore, nuk mund të konstatohet se vendi ka kushte për zgjedhje parlamentare. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti i ftuar në “Programin 200” në Alsat thotë se si fillim duhet të shihet efekti i masave lehtësuese, që me pas të mund të vlerësohet organizimi i zgjedhjeve. Për momentin nuk duhet nxituar.

Është shumë herët të flasim pasi jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Do të bëjmë vlerësim real, do t’i lehtësojmë masat, t’i shohim reaksionin e qytetarëve dhe publikut dhe me këtë ta dimë sa teste do të bëhen, sa pozitive, sa do të kemi në spitale dhe mbi gjitha IPSH e ndjek gjendjen shëndetësore, nuk merret politik. Ne do ta themi gjendjen shëndetësore dhe nuk është mirë të ngutemi- deklaroi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Memeti shton se vlerësimi i gjendjes për zgjedhje do të mund të bëhej dy javë pasi numri i të infektuarve të jetë nën 10.

Pa paragjykime se a do të kemi zgjedhje ose kur do të kemi, ne kur do të kemi raste poshtë 10 me teste pozitive prej një periudhe prej 2 javëve atëherë mund të themi se jemi në rrugë të mbarë. Fillimisht duhet filluar me relaksimin e masave. Çështja e zgjedhjeve është diçka tjetër, bëhet fjalë për problem publik- shtoi Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas Memetit organizimi i zgjedhjeve, angazhimi i vëzhguesve dhe komisionerëve në hapësira të ngushta bie në kundërshtim me masat e Qeverisë. Ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se vendimi nëse ka kushte për zgjedhje ose jo do të merret mbi bazën e raportit mbi gjendjen publike shëndetësore të dhënë nga Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe infektive./Alsat