“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” aksion simbolik para fillimit të seancës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë, pak para fillimit të seancës së parë dëgjimore ndaj Naim Muselit dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Murselit. Me thirrjen “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” kjo organizatë paralajmëori protestë gjithë popullore në Prishtinë. “Me thirrjen nuk ka paqe pa sigurinë e grave jemi mbledhur sot këtu në këtë aksion simbolik, për të dënuar edhe një tjetër vrasje makabre të një gruaje, e për të bërë të qartë se nuk do të qëndrojmë të qeta përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra” – tha Trina Binaku nga kjo organizatë.

Vetëm këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi e shantazhoi një të mitur në Gjakovë, një burrë tjetër përdhunoi një të mitur në Pejë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë”. Tutje, Baraku ka thënë se dhuna e gjinizuar ndaj grave dhe vajzave nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve, por sipas saj, janë simptoma të patriarkalizmit në shoqërinë kosovare. “Ato janë pasoja të një dhunë strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë dhe të prodhojë dhunues në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik.Ne thërrasim protestë gjithë popullore në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë” – tha ajo para gazetarëve.
Naim Murseli, si i dyshuar për organizimin e vrasjes së gruas së tij Liridona Murselit, si dhe dorasi me inicialet G.P. dhe i dyshuari tjetër i përfshirë në vrasje K.K. do të dalin sot para gjykatës për seancën e parë dëgjimore.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj. Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K. K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.