Nuk ka paga për inspektorët në Inspektoratin Shtetëror të Tregut


Inspektorati Shtetëror i Tregut mbetet pa drejtor. Pas shkarkimit të Stojko Paunovskit, Qeveria nuk ka caktuar ende një pasardhës. Nga atje ata thonë se nuk e dinë, kur ky inspektorat do të bëhet me drejtor.
Në seancën e djeshme, nuk u emërua drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, kështu që kjo pritet të bëhet në seancën e ardhshme të Qeverisë – tha Ljupço Nikollovski, Zëvendës Kryeministër për Resurse Njerëzore.

Kur një institucion nuk ka drejtor, automatikisht do të thotë se nuk ka pagë për punonjësit. Nuk ka askush në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, që të nënshkruajë pagën për muajin prill. Praktika në këtë inspektorat është që paga e punonjësve të paguhet nga 1 deri në datën 5 çdo muaj, por kjo nuk do të jetë kështu për pagën e Prillit. Inspektorët e tregut të intervistuar nga Alsati, thonë se edhe pa drejtor, i kontrollojnë objektet afariste, për të parë nëse i respektojnë protokollet e mbrojtjes nga koronavirusi. Ndërkohë, në lidhje me shkarkimin e Stojko Paunovskit, Zëvendës Kryeministri Ljupço Nikollovski, pretendon se ai u shkarkua në përputhje me Kodin, megjithëse Paunovski nuk ishte paralajmëruar më parë siç parashikohej nga Kodi.

Edhe në këtë rast, janë përgatitur dispozita në përputhje me Kodin dhe në përputhje me procedurat e parashikuara nga Kodi, është dërguar njoftim me shkrim Kryeministrit, i cili më tej në përputhje me Nenin 23 i propozon Qeverisë procedurat e duhura, që janë të mundshme në Kod, qoftë ajo vërejtje, mospajtim publik, kërkesë për shkarkim, ashtu që është vepruar në përputhje me procedurat e Kodit – u shpreh Ljupço Nikollovski, Zëvendës Kryeministër për Resurse Njerëzore.
Stojko Paunovski u shkarkua për shkak të mosmarrëveshjes publike me planin për punësim në Inspektoratin e Tregut të 35 administratorëve që morën paga, dhe që nuk kanë shkuar në punë.