“Nuk është hera e parë që nuk thotë të vërtetën”, Vuçiç i kthehet Ramës: Mbajtëm ditë zie edhe për policin e vrarë në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka propaganduar teksa është përpjekur të arsyetojë shpalljen e ditën e zisë për terroristët e vrarë në veri të Kosovës, më 24 shtator.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte reaguar kundër këtij vendimi të Beogradit, duke thënë se i përket shekullit të kaluar.

Por Vuciq tha se ditë zie ka pasur për të gjithë të vrarët, madje edhe për policin e vrarë nga terroristët, Afrim Bunjakun – tashmë hero i Republikës së Kosovës.

Pos kësaj, Vuçiq ka ngritur një paralele në mes grupit terorist në veri dhe ”Grupit Kumanova“.

Shpërtheu edhe ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se njërit prej organizatorëve, Beg Rizajt i është ngritur memorial të cilin e ka vizituar Ramush Haradinaj.

”Serbia mban Ditë Zie për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë. Për shkak të vdekjes së të gjithë njerëzve nga këndvështrimi i Kushtetutës së Serbisë, të gjithë janë qytetarë të vendit tonë. Edhe Serbia ka ditë zie për tre serbët dhe policin e vrarë. Është një vendim i civilizuar, serioz dhe i përgjegjshëm. Edi Rama nuk po thoshte të vërtetën. Ne deklaruam për të gjitha ngjarjet dhe të vrarët. Nuk është hera e parë që nuk thonë të vërtetën. Dhe tani do t’ju tregoj se si duket hipokrizi. Do t’ju kujtoj se çfarë ndodhi vetëm 8 vjet më parë, në 2015. Në Kumanovë ka pasur një konflikt të madh në mes të Grupit Kumanova më pas sulmuan Maqedoninë, shtet sovran, vend anëtar i OKB-së, u vranë 8 policë. Atëherë as Rama dhe askush nga BE-ja nuk na ka mbajtur predikime”, propagandoi presidenti serb. /Gazeta Express