Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk e ka besimin e tij për të përfaqësuar Kosovën në dialog dhe hapur tema për korrigjim të kufijve.
Haradinaj i pyetur nga gazetarët në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë sot, ka thënë se ai ia ka dhënë besimin e tij Thaçit për të përfaqësuar shtetin në dialog vetëm për të sjellë njohjen e Serbisë për Kosovën.
“Janë dy etapa, njëra është dhënia e besimit te presidenti i vendit me përfaqësuar vendin në një proces për marrjen e njohjes së vendit për të cilën ka besimin tim, në tema të kufijve dhe territoreve nuk e ka këtë besim dhe nuk kuptova se si jam hisedarë e një teme të tillë… Nëse presidenti e shtron një temë të tillë nuk e ka shtruar në emrin tim, as grupit parlamentar as partisë që përfaqësojë”, ka thënë Haradinaj duke iu përgjigje gazetarëve.
Haradinaj po ashtu është përgjigjur ndaj pyetjeve në lidhje me paralajmërimet e LDK-së dhe VV-ssë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
Ai ka ironizuar me opozitën duke thënë se nuk është i kënaqur me punën e tyre.
”Jam i pakënaqur me punën e tyre si opozitë, shumë opozitë e dobët janë, ne vazhdojmë të kemi mospajtime por edhe punë kryejmë sot kemi pas një mbledhje me 24 tema dhe vazhdojmë punën për të mirën e qytetarëve dhe nuk e shohim problematike nismën e tyre”, ka thënë Haradinaj.
”…LDK dhe VV janë pa guxim politik për me marrë përgjegjësi dhe bëjnë zhurmë në Parlament dhe i ikin përgjegjësisë, e Qeveria i kryen punët e veta që i takojnë me Kushtetutë dhe me ligj”, ka shtuar kryeministri.