Nuk dihet ende sesi do zhvillohet mësimi këtë vit shkollor

Viti i ri shkollor 2021-2022 do të fillojë më 1 shtator por akoma nuk dihet se cili nga tre skenarët e paralajmëruar nga dikasteri i Arsimit do të jetë i zbatueshëm. Nga ky institucion gjithashtu thanë se shkollat tashmë janë përgatitur për të gjitha opsionet, mësim me prezencë fizike, nga klasa e parë deri në të katërtën me prezencë si dhe opsionin një javë mësim në shkollë një javë nga distanca. Deri tani sipas Ministrisë janë vaksinuar rreth 60 për qind e kuadrit arsimor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Cili nga tre skenarët do të zbatohet do të varet nga situata epidemiologjike, e cila do të vendoset nga Komisioni për Mbrojtjen nga Sëmundjet Infektive. Deri më tani nga gjithsej 31,447 persona të punësuar në shkolla, rreth 60% janë vaksinuar dhe ne apelojmë tek mësuesit dhe personeli tjetër në shkolla që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e tyre dhe më të afërmve të tyre”
Numër i njëjtë i të vaksinuarve paraqitet edhe në institucionet parashkollore. Edhe atje rreth 60 për qind e të punësuarve janë vaksinuar.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i ka bërë thirrje të vazhdueshme stafit të kopshteve që të aplikojnë për vaksinën, në mënyrë që të rrisin përqindjen e personave të imunizuar që punojnë në kopshte, sepse vetëm në këtë mënyrë, përmes kujdesit shëndetësor personal, do të jepet kontribut në mbrojtje të shëndetit publik dhe njëkohësisht do të mundësojë realizimin e pandërprerë dhe cilësor të procesit eduktivo arsimor”.
Nga Ministria për punë dhe politikë sociale thanë se gjendja aktuale në kopshtet është e qëndrueshme dhe funksionimi i tyre mbetet i njëjtë për momentin por me monitorim të vazhdueshëm të situatës me virusin korona.