NOVA TV: Intervistë me Bekim Saliun – kandidat për kryetar të Komunës së Çairit nga AAA-ASH

Bekim Sali është i martuar dhe baba i tri vajzave. Është stomatolog me profesion, ka ordinancën e tij dhe biznesin e tekstilit. Hyn në garën për kryetar të Çairit si propozim i koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa dhe me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.

“Mjafton të jesh qytetar i ndërgjegjshëm i Çairit dhe ta njohësh veten se në cilën anë je.”, thotë ai në intervistën për Nova TV. Premton plan arkitektonik ndërkombëtar për Çairin e Ri dhe zgjidhje për problemin e parkimit. Motoja e tij e jetës është: “’E pamundur’ është fjalë e saktë vetëm kur shkruhet fjala ‘e pamundur’. Çdo gjë tjetër është e mundur me mund dhe me punë.”

Nova TV: Kur vendosët të kandidoni për kryetar komune, pse zgjedhja “ra” pikërisht në Komunën e Çairit, sa është e vlefshme për ju mbështetja e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët / Alternativa

Kandidatura ime është pikërisht nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa, ndërsa pse pikërisht Çairi, kjo është përgjigje që e di pothuajse çdo person në komunën tonë. Çairi, para se gjithash, kërkon ndryshime dhe, së dyti, sepse unë, si banor i Çairit, nuk mund të jem indiferent ndaj gjithçkaje që po ndodh në komunën tonë. Prandaj e pranova vullnetarisht këtë sfidë. Çdo votë e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa është e vlefshme për mua, por unë – edhe pse i propozuar nga këto parti – e shoh veten si kandidat që i pret votat e të gjithëve në Çair që presin ndryshime pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike. Mjafton të jesh qytetar i ndërgjegjshëm i Çairit dhe ta shohësh veten se në cilën anë je.

Nova TV: Çfarë ju motivon të përpiqeni në vetëqeverisjen lokale, përkatësisht të bëheni kryetar komune?
Në disa komuna flitet për nuanca dhe mundësi të reja, por kur flasim për Çairin, kjo do të thotë që nëse ju përpiqeni të jeni “të pacaktuar”, me indiferencën tuaj e ndihmoni mafinë urbane, korrupsionin, krimin, uzurpimin e hapësirës publike dhe gjelbërimin. Kjo është arsyeja pse unë dhe kolegët dhe miqtë e mi u futëm në këtë betejë. Ishim të detyruar. Nëse ne nuk angazhohemi për të shpëtuar Çairin, askush tjetër nuk do të vijë të luftojë për ne. E pranova këtë si detyrën time intelektuale, qytetare dhe si obligim për Çairin.

Nova TV: Disa kandidatë garojnë për Çairin. Cila është sfida juaj më e madhe mes kandidatëve për ta fituar dhe si e vlerësoni rrjedhën e deritanishme të fushatës?
Unë nuk kam shije të veçantë të sfidës në lidhje me kundërkandidatët e mi. Angazhimi im është që ta përfundojmë garën në rrethin e parë, në mënyrë që deri në fund të tetorit të jemi në detyrat tona të punës. Çairi nuk ka kohë për të humbur. Sigurisht, kryetari aktual do të jetë më i godituri, por është koha që edhe ai të shkojë në lagjen e Butelit, si edhe kryetari i mëparshëm i Komunës së Çairit, i cili shkoi të jetojë në Komunën e Butelit.

Nova TV: Cila është gjëja e parë që do të bënit për Çairin? Keni shumë projekte në program, megjithatë cilat janë projektet tuaja të preferuara, përkatësisht që konsideroni se duhet t’u jepet prioritet në realizim?

Shikoni, vetëm një gjë u premtoj banorëve të mi nga Çairi – premtimi do të përmbushet. Jam duke u përpjekur shumë për të gjetur zgjidhje për problemin e parkimit dhe jam afër fundit të projektimit për 1,700 vende të reja të parkimit. Pensionistët do të kenë vatra për takime dhe shoqërime, grupet e lëndueshme sociale do të kenë kuzhinë publike, të rinjtë – qendër sportive, mësimdhënësit – dinjitet dhe respekt për punën e tyre, banorët – vëmendje për infrastrukturën e tyre të vjetruar, Çarshia – vëmendje të veçantë si pasuri e madhe kulturore. Po përpiqem të shpall konkurs publik ndërkombëtar për master-planin në Çair. Nëse e arrijmë atë, do të shkojmë për ndryshim radikal të Çairit, ku e vjetra do të integrohet në Çairin e Ri. E di se si, tashmë e di edhe se nga sigurohen mjetet. Vetëm duhet ta zgjidhim pjesën e punës më 17 tetor dhe të vazhdojmë më tutje.

Nova TV: Çfarë ju shqetëson më shumë në Komunën e Çairit. Cili do të ishte vendimi i parë që do të merrni?
Ajo që më shqetëson më shumë është kaosi, uzurpimi i hapësirës publike, mungesa e vendeve të parkimit, si dhe rreziku për sigurinë personale të qytetarëve. Sa u përket vendimeve, vendimi im i parë do të jetë heqja e murit nga bulevardi Cvetan Dimov. Do të gjejmë zgjidhje tjetër estetike, por ai mur duhet të hiqet. Pas kësaj do të përgatitemi për konkursin për master-planin e Çairit, i cili duhet të përfundojë 6 muaj pas marrjes së mandatit.

Nova TV: Pyetja jonë e fundit është personale. Si do ta përshkruanit veten? Çfarë ju bën të lumtur dhe të pikëlluar, cili është hobi juaj, pasioni, diçka pa të cilën nuk mundeni. Cili zhanër i librave është më i preferuari për ju, cila muzikë, cili film dhe, natyrisht, opinionit i intereson motoja juaj e jetës?

Edhe pse nuk është e denjë të flas në vetën e parë, por meqë jam i detyruar nga pyetja juaj, do të përpiqem pa e ekzagjeruar ta përshkruaj veten me dy-tri fjalë dhe këtë do ta bëj në vetën e tretë. Bekim Sali është bashkëshort dhe baba i tri vajzave. Me profesion është stomatolog dhe pronar i një ordinance, si dhe i biznesit me tekstil. I pëlqejnë udhëtimet, kënaqet me familjen, kohën e lirë e kalon me vajzat e tij, lexon libra të fushës së tij profesionale, nuk ka paragjykime për llojin e muzikës së mirë dhe motoja e tij është “’E pamundur’ është fjalë e saktë vetëm kur shkruhet fjala ‘e pamundur’”. Çdo gjë tjetër është e mundur me mund dhe me punë.”