Nga shtatori rroga më të larta për infermierët me arsim të lartë

Infermierët dhe teknikët që kanë mbaruar arsim të lartë apo specializim, e të cilëve nga viti 2015 arsimi i tyre nuk u është paguar, prej shtatorit do të marrin kompensim të rrogës, paralajmëruan sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, dr. Lubisha Karanfillovski.

 “Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me dy drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor të cilët i siguruan fondet, duke filluar nga shtatori i këtij viti të gjithë infermieret dhe teknikët të cilët kanë mbaruar shkollën e lartë të Mjekësisë ose kanë specializimin dhe kanë fituar 180 ose 240 kredite (pika) do të marrin kompensimin e duhur për arsimin e tyre. Është përpiluar një aneks i marrëveshjes kolektive në përputhje me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore dhe mënyra në të cilën përcaktohet lartësia e rrogës”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.