Njolloset pllaka përkujtimore “Loti i Trëndafilit” në Ohër, reagon MPJ-ja

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut fuqishëm e dënon njollosjen e pllakës përkujtimore “Loti i Trëndafilit” në Ohër, të vendosur në shenjë përkujtimi të fatkeqësisë me anije në vitin 2009, kur 15 turistë bullgarë humbën jetën duke u fundosur me anijen “Ilinden” në ujërat e Liqenit të Ohrit.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë akt nga ana e autoriteteve kompetente shtetërore janë marrë masat e duhura dhe për një kohë të shkurtër pllaka është kthyer në gjendjen fillestare. Për këtë informacion në kohë, me Notë është informuar edhe Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shkup. Me këtë rast, duam të potencojmë se bëhet fjalë për rast të izoluar, i cili as që është në pajtim me politikën shtetërore e as që e përfaqëson interesin e qytetarëve. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon me politika dhe aktivitete në drejtim të avancimit të raporteve të mira me të gjithë fqinjët tanë, për çka ekziston mbështetje nga shumica e qytetarëve të vendit”, thonë nga MPJ-ja.