Njihuni me Sami Xhelilin, artisti nga Kosova që bën parodi me këngët e njohura

Së fundmi ai është bërë një fytyrë e njohur në publikun shqiptar, saqë videot e tij janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer kështu në një djalë trendi që njihet nga shumë njerëz tashmë.
Bëhet fjalë për Sami Xhelilin, 22 vjeçari nga Gjilani që ka vendosur të bëjë një art shumë interesant. Nga këngët e të famshmëve shqiptar që i dëgjojmë çdo ditë ai ka vendosur që t’i kthejë disa këngë në parodi, version qesharak por që është një art në vete.
Sami Xhelili, ka folur për Pa Censurë ku tregoi shumë sakrifica për të aritur këtu ku është sot. Parodia e tij e parë filloi me këngën e Don Xhonit, ku sipas tij pas kësaj ai morri shumë kërcënime nga rrethi i ngushtë i reperit.

“Fillimisht pas këngës së parë të Don Xhonit, Stop make a pose, e solla pastaj parodinë Stop 1 minut, por nuk e publikova për disa shkaqe që më vinin ndesh me publikun, për arsye se kishte disa fjalë të papërshtatshme në tekst, dhe kjo jo qëllimisht por që ashtu u lidhën fjalët në tekst ashtu doli përfundimi. Pas kësaj pata disa kërcënime nga rrethi i reperit, por që nuk më bënin përshtypje gjërat e tilla sepse unë bëj art, gjithcka është për të qeshur dhe e bëj për t’a argëtuat publikun dhe për të sjellur diçka të re, pa mos u tallur këtu me askënd”, u shpreh Samiu.

Më tej ai shton se ka pasur shumë përkrahje nga artistë të ndryshëm të estradës shqiptare, që sipas tij janë artistë me plotëkuptimin e fjalës dhe që e kuptojnë atë që bëj unë.
“Kam pasur normalisht përkrahje nga shumë artistë të ndryshëm të estrades, taman artista që e kuptojnë termin “Parody” dhe atë që bëj unë, e kjo ka shumë rëndësi për mua”, thotë ai.

Sakaq, ai na shpalosi edhe se në të ardhmen do t’i futet industrisë së muzikës shqiptare, por se kur do të ndodh kjo nuk na e bëri të ditur.