Njihuni me politikanët që kanë vila në “vendin e krimit” në Brezovicë


Aksionet e fundit në Brezovicë kanë vënë nën pranga figura me peshë politike, biznesmenë, por edhe zyrtarë institucionalë që mbanin pozita të rëndësishme në institucionet e Kosovës.

Shumica e të arrestuarve dyshohen për veprat penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje, si dhe dhënie ryshfeti.

Por, në vendin e dyshuar të krimit, të cilin e ka goditur Prokuroria e Shtetit, 14 të arrestuarit nuk janë të vetmit persona të përfshirë në veprime të dyshuara në Parkun Kombëtar të “Sharrit”.

Media ka mësuar se disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit shtetërorë të Kosovës kanë toka dhe shtëpi banimi në Brezovicë.

Sipas informatave ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka në pronësi një vilë në Brezovicë. Ish-presidenti Thaçi në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë bujqësore dhe dy shtëpi.

Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të pa luajtshme në Brezovicë.

Edhe paraardhjësja e tij, presidentja Atifete Jahjaga, ka në posedim një vilë në Brezovicë.

Më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ajo nuk ka deklaruar pronësi mbi pronë në Brezovicë.

Informatat tregojnë se edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri posedojnë vila në Parkun Kombëtar të “Sharrit”.