Njihuni me dy kosovarët që do të kandidojnë në zgjedhjet komunale në Zvicër

Naser Iseni dhe Ardiana Zeka sërish kandidojnë në zgjedhjet e marsit 2021 për të zënë një vend në legjislaturën 2021-2026 në komunën Ecublens të kantonit Vaud.
Në këtë komunë, me 13 mijë banorë, jo zyrtarisht thuhet të jetojnë rreth 700 banorë shqiptarë.

Naser Iseni me profesion mekanik përfaqësonte PS-në mandatin aktual dhe sërish kandidaton me të njëjtën parti me arsyetimin se ka dhënë kontribut të madh në Asamblenë Komunale të Ecublens, ku sipas tij, ka pasur debate të ashpra por edhe dinjitoze për mirëqenien e popullatës lokale si dhe nuk ka munguar mbështetja për firmat private siç janë kushtet maksimale për punë dhe për punëtorët.

«Në legjislaturën e cila po mbaron kam qenë i zgjedhur nga partia PSIG, si komisioner i mbikqyerjes. Kjo është arsyeja që unë sërish kandidohem, në këtë komision kemi qenë 9 anëtarë të gjitha partive politike në perbërje të këshillit Komunal dhe aty kemi pas qasje në të gjitha resorët prej qeverisë e deri te buxheti, shkollat, punimet, e tjera, kështuqë ka qenë një përvojë unike dhe kam marrë shumë njohuri për komunën ku jetojmë me dekada.», tha Naser Iseni.

Bashkë me Naser Isenin në garë për Asamblenë Komunale të Ecublens me Partinë Socialiste (SP) figurojnë edhe Arianda Zeka (frizere dhe mësuese, me prejardhje nga Rahoveci,) dhe Rexhep Shala nga PRL. Ecublens është qyteti i 10-të i kantonit Vaud. Më herët ishte konsideruar si fshat, ndërsa tash ka marrë primatin e qytetit me 80 milionë franga buxhet.

Për komunitetin e huaj këto zgjedhje në nivel komunal kanë po ashtu një rëndësi të madhe, ngase është hera e dytë që i jepet mundësi çdo qytetari që jeton më shumë se 10 vjet në Zvicër dhe 3 vjet në kantonin Vaud të mund të votojë për çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e qytetit. Kushtetuta e kantonit Vaud mundëson që përpos konfrontimit të ideve mes partive politike për programet e tyre, të merret parasysh edhe bindja e qytetarëve të huaj që të dalin ta ushtrojnë këtë të drejtë të votës që është një sfidë e këtyre zgjedhjeve.

Megjithatë, edhe në këto zgjedhje mbetet shumë për t’u bërë që të ngrihet më lart vetëdijesimi i shqiptarëve për të votuar, kur dihet se të drejtë vote kanë dhe të huajt me leje qëndrimi të përhershëm (C).
Në këto zgjedhje shqiptarët nuk garojnë vetëm me Partinë Socilademokrate, por edhe në partitë e djathta ose të mesit.