Njihuni me doktoreshën e preferuar të Trumpit, beson te “ADN-ja e alienëve” dhe te shtrigat

Një doktoreshë në Teksas, deklaratat e së cilës mbi përdorimin e hidroksiklorokinës për të kuruar koronavirusin janë postuar në rrjetet sociale nga Donald Trump, ka një histori të gjatë me konspiracionet.
Dr. Stella Immanuel u bë e famshme pasi Presidenti amerikan bëri “retweet” një video të saj, e cila tashmë është hequr nga Facebook, YouTube dhe Twitter, ku promovon hidroksiklorokinën.

Gjithashtu, në video ajo sulmon “doktorët e rremë” që dyshojnë për efikasitetin e këtij ilaçi, para se të shtojë se njerëzit nuk kanë nevojë që të vendosin maskë.
“Nëse shkenca e rreme thotë se ka bërë studime dhe më pas shohin se studimi i tyre ka qenë i gabuar, unë them se kemi të bëjmë me shkencë të rreme. Kush e bëri studimin mbi hidroksiklorokinën? Sepse unë kam trajtuar 350 pacientë dhe askush nga ata nuk ka vdekur”, thotë 55-vjeçarja në video.

Doktoresha, e cila ka studiuar mjekësi në Nigeri, thotë se aktualisht mjekët po përdorin ADN alienësh për të kuruar pacientë. Ndërsa në vitin 2015 ka thënë se iluminatët po promovojnë një plan të ideuar nga një shtrigë për të shkatërruar botën, duke përdorur abortin, martesën mes homoseksualëve dhe lodrat e fëmijëve.