Njeriu që dha paratë për ndërtimin e xhamisë, fal gjakun e të birit me ditën e përurimit

Është përuruar xhamia e re në qytetin e Podujevë “Sevdaim dhe Kajtaz Sinani”, ku donatori i kësaj xhamie, Kajtaz Sinani, ka falur gjakun e të birit të vrarë para nëntë vjetësh.
Në përurimin e kësaj xhamie kanë marrë pjesë krerë të Bashkësisë Islame, derisa me rastin e po kësaj ceremonie është shtrirë dora e faljes së gjakut mes familjes Sinani dhe asaj Begu.

Gjaku është falur në ditën e përurimit të xhamisë, e cila mbanë emrin e tashmë të ndjerit, Sevdaim Sinani, xhami kjo që për donator ka babain e tij, Kajtaz Sinani.
“Sot në Podujevë u arrit një pajtim i madh i gjakut, ku Kajtaz Sinani me djem e vllazni shtrinë dorën e Pajtimit për hatër të Allahut ku e falen gjakun e djalit tyre familjes Begu nga Kaçandolli me banim Podujevë! Këshilli i pajtimi për rastin në fjalë: 1 Bajram Plaku. 2 Muhamed Latifi. 3 Fadil Hasani. 4 Shemsi Rrahimi. 5 Fatmir Latifaj. 6 Imer Mehmeti. Kënaqësi e veçantë të prezantosh aty ku shkruhet Historia me re e Kosovës duke i pajtuar Popullin shqiptar”, ka shkruar në Facebook hoxhë Fatmir Latifi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2012, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, të pandehurit Qëndrim dhe Senad Begu akuzohen se më 1 mars 2012, në Podujevë, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani.