Një filipinas i njohur si ‘njeriu gjarpër’ dhe pretendonte se kishte imunitet ndaj helmit të tyre, ka vdekur së fundmi kur një kobra e kafshoi në gjuhë teksa “mjeshtri” tentonte ta puthte për të dhënë spektakël.
62 vjeçari Bernardo Alvarez, kapi kobrën e famshme të veriut të Filipineve disa momente para vdekjes së tij në qytezën Mangaldan, të provincës veriore Pangasinan javës që shkoi.
‘Zbutësi’ i gjarpërinjve ishte brohoritur nga spektatorët dhe fqinjët kur arriti të kapë gjarprin e rrëshkitshëm dhe nisi ta tregonte atë për turmat admiruese.
Por teksa jepte shfaqjen e tij, Bernardo e afroi kobrën pranë fytyrës teksa pretendonte se po e puthte në gojë.
Kobra njihet si një nga gjarpërinjtë më helmues në botë, dhe në rastin konkret sulmoi kapësin e saj duke e kafshuar në gjuhë.
Burri i shokuar ulëriti me dhimbje, para se të binte përtokë e të vdiste pak minuta më vonë.
Zyrtarja shëndetësore e provincës Dr Anna de Guzman tha: “Helmi i këtij gjarpri shkakton paralizë nervore, dhe kjo i ndodhi edhe ‘njeriut gjarpër’. Paraliza mund të ndalojë frymëmarrjen dhe rrjedhën e oksigjenit në trupin e viktimës, më pas dhe ndalimin e zemrës së tij”.
Mjekët nxituan të ndihmonin Bernardo por ai nuk reagonte më dhe trupi i tij ishte i ngrirë nga efekti i helmit.
Ata konfirmuan më vonë se toksinat e helmit kishin sulmuar shpejt sistemin e frymëmarrjes së viktimës, duke e ngrirë atë.
Motra e Bernardos, Teresa Oca, e cila ishte në skenën e ngjarjes, tha: “Një polic dhe një doktor erdhën për ta ndihmuar sepse nuk kishte puls. Ata nuk arritën të bënin gjë, helmi ishte shumë i fortë. Nuk e di si do ta pranojnë këtë që i ndodhi”.