Numrat e fundit të Zyrës evropiane për azil, EASO, tregojnë se shtetasit e Maqedonisë së Veriut janë mes atyre të cilët më shpesh vazhdojnë të parashtrojnë kërkesë për azil, madje edhe pasi refuzohen.
Në përgjithësi, EASO konstaton se rritje për 21 për qind të kërkesave për azil në vendet e BE-së plus Norvegjia dhe Zvicra (BE+) gjatë janarit të këtij viti në krahasim me muajin paraprak dhe rritje për nëntë për qind në krahasim me janarin e vitit 2018.
Gjatë janarit janë parashtruar gjithsej 58.609 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në BE+, që është më shumë se cilido muaj në vitin 2018, informon EASO. Numri më i madh i kërkesave vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Por, nuk mungojnë as kërkesat nga Maqedonia e Veriut.
Në janar të vitit 2019, janë parashtruar 628 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare nga ana e qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë kërkesa të përsëritura. Me këtë Maqedonia e Veriut së bashku me Serbinë janë mes vendeve të para shtetasit e të cilave parashtrojnë kërkesa për azil disa herë, madje dhe pasi refuzohen.
Maqedonia e Veriut shënon rritje të dukshme të kërkesave për azil në janar të vitit 2019, numër më të madh nga vendi ynë ka pasur në prill dhe mars të vitit 2017.
Nga EASO nuk i komentojnë arsyet për këtë situatë, por me rëndësi është të përmendet se numri i madh i rasteve, kërkesat për azil nga Maqedonia refuzohen sepse vendi konsiderohet i sigurt. Nga 628 kërkesa të parashtruara në janar, 539 janë refuzuar, ndërsa shkalla e aprovimit të aplikimeve është një për qind.
Në rajon, më shumë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në BE, Zvicra dhe Norvegjia vijnë nga Shqipëria. Vetëm në janar të vitit 2019, mbi dy mijë persona nga Shqipëria kanë kërkuar azil në BE+, prej të cilave madje 1.812 janë kërkesa të para, ndërsa mbi 1.700 janë refuzuar.
Serbia, gjithashtu, shënon rritje të këtyre aplikimeve në janar, me 897 kërkesa, që është një ndër shkallët më të larta për këtë vend nga fundi i vitit 2017.
Në top dhjetëshin e kërkesave për azil në BE+ ndodhen Pakistani, Irani, Nigeria, Turqia, Venezuela, Shqipëria dhe Gjeorgjia. Rritja më madhe ka të bëjë me shtetasit e Venezuelës dhe Nigerisë.