Njerëz të rinj, mentalitete të vjetra

Blerim Latifi

Si e nisi koalicioni i ri qeverisës, atë që Ramushi me leksikun e tij karakteristik e quante “Dita 1 e punës”?

Albin Kurti u ngrit dhe shkoj në Prekaz, ndërsa Vjosa Osmani gjënë e parë që bëri ishte heqja e fotografisë së Presidentit Thaçi nga zyra e saj.

Gjesti simbolik i Kurtit është vazhdimësi e asaj që një ditë më herët e tha në fjalimin e tij në Kuvend, kur u zgjodh kryeministër. Ai e sheh veten në narrativën lineare të nacionalizmit shqiptar, retorikën e të cilit me shumë sukses ia doli ta kapitalizoj në funksion të qëllimit për të ardhur në pushtet. Shkaqet e këtij suksesi janë më shumë të PDK-ja, se sa të vetë Kurti. Vitet kur u ngrit Lëvizja Vetëvendosje!, ishin vitet kur PDK-ja, e lodhur nga disfatat e njëpasnjëshme elektorale, vendosi ta braktis retorikën nacionaliste dhe trashëgiminë ideologjike të LPK-së , ndërsa Lëvizja Vetëvendosje!, ishte aty për t’i përvetësuar të dyja. Ajo që PDK-ja në atë kohë e mbajti për vete ishin komemoracionet politike në përvjetorët e dëshmorëve dhe shkuarja e Kurtit në Prekaz mund të kuptohet edhe si përpjekje e tij që PDK-së t’ia marrë edhe këtë simbolikë politike. Kësisoj mund të supozojmë se përleshja politike për përfitime elektorale nga dëshmorët do të vazhdoj edhe më tutje. Në literaturë kjo quhet nekropolitikë : të bësh politikë me të vdekurit!

Në anën tjetër, gjesti simbolik i Vjosa Osmanit është vazhdimësi e metodës themelore të cilën ajo me vite e ka ndjekur për t’u ngritur në karrierën e saj politike. Kjo është retorika kundër Thaçit. Në LDK, që nga viti 1999, kushdo që ka arritur të duket bindës gjatë përdorimit të kësaj retorike, suksesin brenda partisë e ka pasur të garantuar. Vjosa Osmani ia ka dalë të duket e këtillë, për pasojë sot është kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe një ndër pretendentët kryesorë për t’u ulur në fronin e kryetarit të LDK-së, në një të ardhme të afërt. E tërë kjo na shtyn të supozojmë se ajo do të vazhdojë edhe më tutje të operojë me simbolikën e antithaçizmit. Në këtë kontekst, në qoftë se PDK-ja vazhdon t’i kundërpërgjigjet flakë për flakë kësaj taktike, ajo vetëm sa do t’i shërbej kauzës personale të Vjosa Osmanit për të marrë kontrollin përfundimtar mbi LDK-në.

Nëse gjestin e saj të largimit të fotografisë së presidentit, e shikojmë përtej debatit ligjor se a ishte në përputhje ose jo me ligjin në fuqi, atëherë mund të vërejmë se ky gjest na e kthen kujtesën në një traditë e cila nuk ka të bëjë fare me vlerat dhe mentalitetin demokratik e liberal. Kjo është tradita komuniste. Lojërat politike me fotografi kanë qenë specialitet propagandistik i komunistëve. Në regjimet komuniste ka qenë rregull : sa herë që ndërroheshin njerëzit në konjukturat e pushtetit, gjëja e parë që ndodhte të nesërmen ishte largimi i fotografive të tyre, zhdukja e fytyrave të atyre që kishin rënë nga pushteti, retushimi i fotografive të botuara në tekste ku ata kishin dalë gjatë kohës që ishin në pushtet. Nga Stalini tek Enver Hoxha është një histori shumë e pasur e vendosjeve, heqjeve dhe rivendosjeve të fotografive politike, e retushimeve, e rizbulimve dhe e riretushimeve të tyre. Njëherë nana ime më ka treguar një histori të saj që ka të bëjë me politikën e fotografive të komunistëve. Në vitin 1948, në moshën dhjetëvjeçare, ajo ishte nxënëse në shkollën fillore të sapo hapur në qytetin e Skenderajt. Ajo tregon se në murin ballor të klasës ishin të vendosura dy fotografi. Njëra ishte e Titos, tjetra e Stalinit. Mësuesi u tregonte për ditë nxënësve se ata dy burrat me uniforma ushtarake ishin njerëzit më të mëdhenj që ka pasur bota ndonjëherë dhe se ata duhet të rriteshin me dashurinë për ta. Por, një ditë, ndodhi diçka e papritur : dy njerëz u futën në klasë dhe e hoqën fotografinë e Stalinit, ndërsa mësuesi e ndryshoi tregimin e tij të përditshëm. Nga shpëtimtar i njerëzimit, Stalini befas u kthye në armikun e tij. Nga ajo kohë kanë kaluar 72 vjet. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Komunizmi ka 30 vjet që është zhdukur si sistem institucional dhe ideologjik, por duket se mentalitetet e krijuara prej tij ende janë të gjalla në nënvetëdijen tonë. Në këtë rast fatkeqësia nuk është kur këto mentalitete shfaqen tek gjeneratat që e kanë jetuar komunizmin, sepse është e qartë se përvoja e gjatë lë gjurmë, gati të pashlyeshme, në mënyrën tonë të të menduarit dhe të sjelljes. Fatkeqësia është kur këto mentalitete shfaqen tek gjeneratat që nuk e kanë jetuar fare komunizmin. Mbase ka të drejtë sociologu gjerman Ralf Dahrendorf, i cili kur u shemb komunizmi, i pyetur nga një gazetar se si e sheh të ardhmen e vendeve postkomuniste, tha se “ do duhet gjashtë muaj për të ndryshuar strukturat institucionale të komunizmit, gjashtë vite për të ndryshuar strukturat ekonomike të tij dhe gjashtëdhjetë vite për të ndryshuar mentalitetet e tij”. Pra, edhe mentalitetin e politikës me fotografi.