Një vit nga vdekja e humoristit Rasim Thaçi – Cima, Artani kujton momentet e fundit me të atin dhe raportin me të

Janë bërë një vit që kur ka ndërruar jetë aktori i mirënjohur i skenës dhe teatrit, Rasim Thaçi – Cima.
Legjenda e humorit shqiptar vdiq saktësisht më 26 mars të vitit 2021 për shkak të komplikimeve me COVID-19.
Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh në kinematografinë e popullin shqiptar, por më së shumti është ndjerë nga të afërmit e familjarët.

Një vit më vonë – djali i të ndjerit, Artan Thaçi, ka treguar për Telegrafin momentet e fundit të artistit gjatë kohës që ishte në spital, zbrazëtinë që ka lënë në shtëpi e po ashtu edhe për projektet e reja përmes të cilave tenton ta rikthej humorin e tij.

“Pothuajse tani një vit më parë ne vetëm ishim pranë spitalit unë pothuajse isha 24 orë pranë babit edhe pse ishte në repartin intensiv isha do të thotë afër, mirëpo tamam lajmërimin kur na kanë bërë unë kam qenë në shtëpi dhe më telefonuan prej repartit intensiv dhe më thanë që gjendja e babait është përkeqësuar dhe normalisht menjëherë së bashku me vëllain kam shkuar dhe aty e kemi kuptuar që veç kishte ndërruar jetë dhe kjo ishte bash ato momentet e fundit”.

Artani ka përshkruar periudhën kur i ndjeri ishte në spital dhe për shpresën që do ta mposhte sëmundjen.
“Të ju them të drejtën në fillim kur kemi shkuar në Klinikën infektive ka pasur disa vështirësi në frymëmarrje, mirëpo nuk na kishte marrë mendja që vjen në një keqësim apo në një ngjarje të tillë. Fillimisht ka shkuar për kontrolle, ka pasur nevojë për oksigjen, pastaj ka pasur periudha kur ka qenë, është rikthyer i fort por sërish ka pasur luhatje të mëdha dhe që thonë e treta e vërteta, ajo ishte goditja që nuk mundi t’i bëj ballë dhe të rikthehet në jetë.

Mungesa e tij ka qenë e dukshme për të gjithë, e këtë e shpjegon edhe Artani.
“Po, mungesa sa shkon e rritet normalisht. Ka qenë shtylla e shtëpisë, jo vetëm për neve por mund të them për të gjithë popullin shqiptar. Kudo, edhe në qytet kur dalim njerëzit vazhdojnë të na shprehin ngushëllime dhe të na tregojnë qoftë historitë e tyre kur janë takuar me babanë, ngjarjet e tyre nëse veç kanë qenë nëpër takime kështu që normalisht na mungon çdo moment”.
Meqenëse janë parë gjithnjë bashkë e thuajse edhe në çdo dalje publike, Thaçi ka zbërthyer raportin që kishte me të atin.

“Unë me babanë kam pasur një lidhje shumë të ngushtë, do të thotë unë kam jetuar me prindërit e mi edhe ne edhe kur jemi zgjuar në mëngjes bashkë, kemi dalë për të pirë kafe bashkë, edhe punën që e ka bërë me humor ne kemi punuar bashkë, shkruar bashkë. Gjatë tërë kohës kemi qenë shumë të lidhur. Normalisht që kjo lidhje e fortë është sikur zogut kur ia thyen njërin krah dhe është shumë e vështirë me ec tutje, mirëpo tani kur më kujtohen këshillat e tij sado që jeta i ka ato batica zbaticat, ti prapë duhet të gjesh forcë që të ecësh tutje, përpara. Ajo mundet me qenë një goditje por tani duhet të tregosh veten që je shumë i fortë dhe në bazë të atyre këshillave që i ke marrë dhe në një far forme të luftosh dhe të gjesh atë forcën tamam që ta jetosh jetën. Ti bëhesh për dikë tjetër forca, energjia e dikujt tjetër. Kjo është pak a shumë që unë çka kam mundur të mësoj prej babait tim”.

Por, çfarë thonë njerëzit për ngjashmërinë e tyre në pamje?
“Normalisht është shumë ndjenjë e mirë sidomos kur shumica e njerëzve të ndalin edhe të thonë si në fizionomi ashtu edhe në pamje kam një ngjashmëri të madhe, të bën të ndihesh sa më mirë tu e dit që babai im i ndjerë mund të them lirishit një legjendë kur dikush të jep komplimente që ke ngjashmëri, ndjenjat janë super të mira”.
Artani bashkë me dy djemtë e legjendave të humorit, Ibrahim Krajkovës dhe Sevdai Radogoshit, rikthyen pas më shumë se 30 vitesh “Treshi Përsheshi”, ndërsa tregon se si është pritur nga publiku.

“Ky projekti i parë i ‘Treshi Përsheshi’ apo ne si ‘Treshi Juniors’ më shumë e kemi pasur si një dedikim për axhën Lec dhe babanë tim, Cimën dhe të them të drejtën si fillim deri diku i kemi pasur pritshmëritë por kemi qenë edhe shumë skeptik se si do të dalë e si do të pritet dhe po fati i mirë siç e cekët edhe ju për punën e ngjashmërisë se e luan një rol të madh po ashtu edhe skeçet e tyre që kanë qenë shumë të njohura kemi bërë që atë audiencën e shumë viteve më parë, 30 viteve më parë, që t’ia kthejmë një nostalgji që ka qenë një ide shumë e mirë prej anës tonë dhe është pritur mjaft mirë e kërkesat janë që të vazhdojmë tutje”.

Kur jemi në skeçet dhe projektet e reja, djali i të ndjerit thotë se do të vazhdojë të sjellë pjesë të tjera së bashku me grupin e krijuar “Treshi Përsheshi – Junior”.
https://www.instagram.com/p/CPF6R-cjIy2/?utm_source=ig_embed&ig_rid=6f2de3df-68f2-445d-990e-75586ff0b753
“Ne vetëm pak a shumë ky projekt na ka dhënë një dritë të gjelbër që të vazhdojmë tutje. Tani ne jemi duke u përgatitur për projektin e dytë si ‘Treshi Përsheshi’ sërish dhe besoj që edhe kjo do të mirëpritet mjaft shumë. Jemi duke punuar maksimalisht në punën e skenarit që të paraqitemi sa më mirë. Nuk po nxitojmë meqenëse jemi si fillim një treshe e re. Edhe pse si fillim janë ato vështirësitë e para por koordinimin ndërmjet vete e kemi shumë të mirë, atmosfera brenda neve është shumë e mirë, është me rëndësi të madhe kur dëshiron të fillosh diçka të re në karrierë apo në jetë”.
VIDEO