Rrjeti global i shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të autorit, CISAC, i cili përfaqëson gjashtë milionë krijues, ka publikuar rezultate shqetësuese nga hulumtimi mbi ndikimin e inteligjencës artificiale gjenerative (IA) në industritë krijuese deri në vitin 2028. I udhëhequr nga bashkëthemeluesi i grupit ABBA, Björn Ulvaeus, studimi i strategjisë së CISAC/PMP përfshiu intervista dhe punëtori me mbi 40 profesionistë të muzikës. Rezultatet? Me pak fjalë – nëse asgjë nuk ndryshon, situata për krijuesit nuk duket e mirë, raportoi tportal.hr.
Veprat muzikore të krijuara nga inteligjenca artificiale gjenerative pritet të arrijnë një vlerë kumulative prej 40 miliardë eurosh në pesë vitet e ardhshme, ndërsa në vitin 2028 pritet të kenë një vlerë vjetore prej 16 miliardë eurosh. Në atë vit, muzika e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale pritet të përbëjë rreth 20% të të ardhurave nga shërbimet e transmetimit (streaming) dhe rreth 60% të të ardhurave nga katalogët muzikorë.
Nëse ligjet dhe rregulloret mbeten të pandryshuara, inteligjenca artificiale mund të rrezikojë 24% të të ardhurave të kompozitorëve dhe autorëve të teksteve dhe të krijojë një humbje kumulative prej 10 miliardë eurosh në pesë vitet e ardhshme, me një humbje vjetore prej 4 miliardë eurosh në vitin 2028.
Humbja e të ardhurave do të ndjehet veçanërisht në katalogët dixhitalë, televizion, radio dhe në sektorin e muzikës në sfond. Nga ana tjetër, të ardhurat e atyre që përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar muzikë pritet të dyfishohen çdo vit deri në vitin 2028, duke arritur deri në 4 miliardë euro.
Hulumtimi parashikon një rritje eksponenciale të të ardhurave nga mjetet softuerike për krijimin e muzikës me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke arritur gjithashtu vlerën prej 4 miliardë eurosh në vitin 2028.
Sa i përket sektorit audiovizual (filma, seriale, video-lojëra, etj.), pjesa e gjeneruar nga inteligjenca artificiale në vitin 2028 pritet të arrijë në 48 miliardë euro, me pjesën më të madhe të lidhur me rrjetet sociale dhe televizionin.
Vlerësohet se autorët aktualë jo vetëm që do të humbasin të ardhura për shkak të përdorimit të paautorizuar të veprave të tyre, por gjithashtu do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale më e lirë.