Një shtetas i RMV-së i cili ndodhet në anijen e bllokuar në Japoni, është infektuar me koronavirus

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut, që ndodhet në anijen “Diamond Princess” në Jokohama të Japonisë është i prekur me koronavirus, konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Njëri prej 3 shtetasve të bllokuar në anijen e ndaluar në Jokohama, pasi që fillimisht 130 udhëtarë kishin rezultuar pozitivë ndaj testit të koronavirusit, është infektuar me virusin vdekjeprurës.

“Është konfirmuar prania e koronavirusit te një prej tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut në momentin e hospitalimizimit në një spital në Japoni. Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tokio është në komunikim me shtetasin e RMV-së. Njëkohësisht ambasada në bazë ditore komunikon edhe me dy shtetasit tjerë të cilët ende gjenden në anijen në Jokohama dhe në të cilin deklarohen se ndjehen mirë dhe tani për tani nuk kanë paraqitur simptoma të cilat mund të tregojnë praninë e koronavirusit”, njoftojnë nga MPJ.

Ministria e Shëndetësisë së Japonisë vazhdon me zbatimin e testeve për praninë e koronavirusit te personat të cilët gjenden në anije. Gjatë kryerjes së analizave përparësi kanë personat me simptoma të cilët tregojnë praninë e virusit, personat mbi 75 vjet dhe personat me sëmundje kronike.

Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet Ambasadës në toki, vazhdimisht e ndjekë gjendjen e shtetasve të RMV-së të cilët gjenden në Japoni dhe realizon komunikim me organet kompetente japoneze në lidhje me masat që ndërmerren për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Gordana Kuzmanovska nga Instituti për shëndetin publik theksoi se sistemi shëndetësor në shtet është i gatshëm për të reaguar në rastet kur qytetari importon virusin korona.

“Rregullisht kryhen kontrolle të udhëtarëve në aeroportin e Shkupit me kamera termale, përveç udhëtarëve që vijnë nga udhëtimet e Stambollit dhe Dubait, në aeroportin e Shkupit skanohen edhe udhëtarët që vijnë nga Doha”, deklaroi Kuzmanovska.

Anija mbahet në karantinë në provincën japoneze Kanagawa, ndërsa në të ndodhen rreth 3.700 pasagjerë nga 56 vende dhe rajone të ndryshme.

Zyrtarët japonezë thanë se gjithsej 130 persona që janë në bordin e anijes Diamond Princess” u testuan pozitivë me koronavirusin i cili deri më tani ka marrë 1.368 jetë njerëzish, ndërkaq vetëm në Kinë janë infektuar zyrtarisht rreth 50.000 persona.

Anija, së bashku me pasagjerët e saj, u ndal pasi një pasagjer që u nis nga Hong Kongu u zbulua se ishte i infektuar me koronavirus.

Javën e kaluar anija u kthye në qytetin japonez Jokohama, pasi kaloi për vizitë në Kagoshima, Hong Kong, Vietnam, Tajvan dhe Okinava. Nga porti i qytetit Jokohama anija u nis më 20 janar.

Thuhet se koronavirusi është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët. Përveç Kinës, virusi i ri është përhapur edhe në mbi 20 vende, përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga qyteti Wuhan dhe nga zonat e tjera të prekura të Kinës, duke i vendosur ata nën kujdes mjekësor të izoluar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e këtij virusi të ri e ka shpallur një emergjencë ndërkombëtare./Portalb