Një shqiptar në Sofje, në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin mes Maqedonisë e Bullgarisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot do të qëndrojë në vizitë pune në Republikën e Bullgarisë dhe do të realizojë takim me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov dhe zëvendëskryeministren e Republikës bullgare për Reforma në Drejtësi dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

Kjo, siç kumton MPJ-ja është vizita e parë bilaterale e ministrit Osmani dhe është në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe intensifikimit të dialogut politik.
“Në takim do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mbrojtjes, turizmit, arsimit, kulturës, si dhe të gjitha fushave tjera në të cilat arrihet një bashkëpunim i suksesshëm në përputhje me përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”, qëndron në komunikatë.

Ministri Osmani me kryeministrin Borisov dhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Zaharieva do të shkëmbejnë mendime mbi progresin e rajonit në procesin e integrimit evropian, si dhe aktivitetet e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përparimin e procesit të reformave dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, si dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit, gjatë presidencës Gjermane me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Si bashkëkryesues të Procesit të Berlinit, Ministri Osmani me homologen e tij, ministren Zaharieva, do të shqyrtojnë angazhimet aktuale dhe të ardhshme në pritje të takimeve dhe të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje, theksohet në kumtesë e MPJ-së dhe shtohet se temë e bisedimeve do të jenë edhe situatat aktuale në rajon, bashkëpunimi rajonal dhe tema të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Vizita e Osmanit në Sofje është një parathënie e takimit midis kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut të tij bullgar Bojko Borisov, i cili është planifikuar të zhvillohet përpara 10 nëntorit, gjegjësisht para procesit të Berlinit.
Osmani në një konferencë për shtyp të martën shprehu pritjen që në takimi të trajtohen të gjitha çështjet, siç tha ai, në mbështetje të krijimit të kushteve për funksionimin e qetë të Komisionit të përbashkët të ekspertëve edhe gjatë masave kufizuese të pandemisë, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për bashkëpunim të zgjeruar politik dhe ekonomik midis dy vendeve.