Një nxënës rezultoi pozitiv me Covid-19 në Kërçovë, por klasa nuk izolohet

Një fëmijë në shkollën fillore “Hristo Uzunov” në Kërçovë ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Pas testit të bërë është izoluar dhe po qëndron në shtëpi, por bashkëmoshatarët e tij që kanë mësuar bashkë vazhdojnë mësimin me prezencë fizike. Drejtoresha e shkollës tha se ishte rekomandimi i epidemiologut që fëmija të izolohet, ndërsa shokët e tij të klasës të vazhdojnë mësimin në shkollë. Nuk ka informacione nëse do të testohen edhe fëmijët e tjerë të cilët kanë pasur kontakt të vazhdueshëm me shokun e tyre të klasës.

“Epidemiologu na rekomandoi që fëmija do të qëndroj në shtëpi në izolim, do të mbajë mësim online, mësimdhënësit do të kyçen online. Ndërsa pasi janë vetëm 10 nxënës në klasë, të tjerët do të vazhdojnë ta ndjekin mësimin me prezencë fizike, kështu ishte rekomandimi i epidemiologut dhe duhet ta respektojmë”, tha Biljana Janveska, drejtoreshë në shkollën “Hristo Uzunov”.

“Tek nxënësit nuk kemi të paraqitur raste, ndërsa te të punësuarit kemi 3 raste që janë në izolim, janë të infektuar me virusin Covid-19, nuk janë në punë dhe u përmbahen protokolleve të cilat u janë caktuar”, tha Festim Ahmeti, drejtor në Shkollën “Drita”.

Edhe në gjimnazin “Mirko Mileski” ka nxënës dhe mësimdhënës që janë në izolim që përpara se të fillonte procesi mësimor me prezencë fizike.