“Një njësi zgjedhore” kaloi komisionin kuvendor! Trajanov: “Ky model siguron përfaqësim për partitë e vogla”

Propozim-ligji për një njësi zgjedhore kaloi në Komisionin për Sistem Politik, edhe pse disa deputetë kishin qëndrime të ndryshme. Pavle Trajanov, i cili është një nga nënshkruesit e këtij propozimi shpjegoi pse ka nevojë për vendosje të një njësie zgjedhore me model proporcional dhe pa prag zgjedhor.

“Ky model ashtu siç e propozojmë ne siguron përfaqësim më të madh me ndikimet që i ka mbi qytetarët, sesa ashtu siç është tani – me 6 njësi zgjedhore. Përbërja e Parlamentit do të jetë pasqyrë reale për përcaktimin e qytetarëve. Komunitetet më të vogla etnike do të përfaqësohen në Parlament përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor, pa u bërë pjesë e koalicioneve me partitë e mëdha politike”, tha Pavle Trajanov, Lidhja Demokrate.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE e përkrahin këtë propozim, duke thënë se vota e çdo qytetari duhet të jetë e barabartë dhe ta ketë peshën e njëjtë. Ai u bëri thirrje partive të tjera ta mbështesin propozimin, me qëllim siç thotë, të mos ngecë sërish.

“Parimisht e mbështesim qëndrimin për një njësi zgjedhore. Në këtë fazë do ta mbështesim këtë ligj, të vazhdojë të debatohet për modelin zgjedhor dhe për këtë temë kaq të rëndësishme në opinionin ekspert dhe më të gjerë, me një qëllim – zhvillim i demokracisë dhe vazhdim i proceseve demokratike në vend”, theksoi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Mbështetje dha edhe LSDM-ja, por nga kjo parti kërkojnë konsensus nga shumica e partive.
“LSDM-ja si parti politike e promovon modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe kjo nuk kontestohet, pasi kjo ishte edhe pjesë e programit politik që në vitin 2016. Por, gjithashtu jemi të prerë se deri te ndryshimi i modelit zgjedhor duhet të vijë përmes një konsensusi të gjerë”, deklaroi Snezhana Kalevska Vançeva, LSDM.
BDI-ja nuk pajtohet të ketë vetëm një, por thonë se ata janë “për” 6 njësi zgjedhore.

“Modeli zgjedhor sigurisht se na jep një pasqyrë të një shoqërie heterogjene. Mendoj se këtë më së miri e reflekton modeli zgjedhor me 6 njësi. Ne do të vazhdojmë me këto debate si BDI, por sigurisht se me argumente nuk mund të lejojmë të bëhet majorizim i një partie ndaj një partie tjetër politike“, tah Vjollca Ademi, BDI.
Aleanca për shqiptarët vazhdon të jetë e mendimit se duhet të ketë 8 njësi zgjedhore, aq sa ka zona ekonomike rajonale.

“Unë jam “për” ndryshim të modelit zgjedhor me qëllim që partitë më të vogla të mos jenë të diskriminuara. Në fakt, ne si Aleancë për shqiptarët jemi edhe “për” 6 njësi zgjedhore dhe propozimi ku ne thirremi në shkencën është propozim i Aleancës. Domethënë ky vend të ndahet në 8 njësi zgjedhore, në përputhje me Ligjin për Zhvillim të Barabartë Rajonal“, pohoi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Propozimi për një njësi zgjedhore kaloi me 11 vota “për”, pas çka vijon edhe debati i hapur publik për ndryshim të modelit zgjedhor}.