Një muaj paraburgim për personin që kanosi me vrasje kryeministrin Kurti

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit N.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kanosur me vrasje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas prokurorisë, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në komunikatën për media.

Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e KPPRK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale ka njoftuar një ditë më parë se N.S ka kanosur me vrasje kryeministrin e Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook” me përmbajtje inkriminuese.

Këtë deklaratë ai e ka përsëritur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në emision.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhej në njoftimin për media.

“Unë konsideroj që çdo njeri, i cili bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse ai është tradhtar ndaj atdheut prandaj…”, është deklarata që i arrestuari N.S ka dhënë në emisionin “DEBAT PLUS”.

Ndërsa, në Facebook ai ka shkruar “veç një telefon ma bën Faton aty më ki, për çka të ka nevojë mezi s’po pres me ja nisë!”, duke i dal në mbrojtje Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinakut, i cili të mërkurën gjatë ditës kishte shkruar mes tjerash se ‘më përpara e vret kryeministrin Kurti, se sa e lëshon Kosovën’.

Edhe Klinaku një ditë më parë është intervistuar nga hetuesit policorë, e më pas është liruar në procedurë të rregullt. /telegrafi