Një mjek i Spitalit psikiatrik në Demir Hisar pozitiv në KOVID-19


Një mjek i Spitalit psikiatrik në Demir Hisar është pozitiv me koronavirus. Ai është asimtomatik, megjithatë ka pasur histori familjare epidemiologjike pozitive, e ka bërë testin dhe është pozitiv. Janë bërë anketat epidemiologjike sepse ka qenë në kontakt me kolegët e spitalit dhe janë ndërmarrë masa, informon sot në konferencën për shtyp ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

“Së bashku me psikiatrët e Klinikës në Shkup e organizuam punën në spitalin në Demir Hisar me kolegët psikiatrë nga institucionet tjera në Manastir dhe Prilep. Deri në përfundimin e vetizolimit ata do të shpërndahen në këtë spital. Sipas nevojës do të përfshihen edhe psikiatrët nga Ohri, Kërçova, Gostivari dhe Tetova. Të gjithë pacientët të cilët do të hospitalizohen, do të dërgohen në qendrat tjera – në Manastir, Ohër ose në Prilep. Nëse ka raste urgjente, klinika në Shkup në cilëndo kohë do t’i pranojë ato pacientë”, tha Filipçe duke shtuar se do të mbyllet edhe Qendra për shëndet mental në Prilep që e udhëheq Spitali psikiatrik në Demir Hisar.

Në 24 orët e fundit janë bërë 342 teste dhe janë regjistruar 30 raste të reja me çka shifra e tërësishme e pacientëve të diagnostifikuar arrin 384 persona. Sipas vendit të jetesës deri tani raste janë regjistruar në Shkup, Kumanovë, Dibër, Shtip, Prilep, Tetovë, Strugë, Veles, Manastir, Ohër, Kavadar, Gostivar, Gjevgjeli, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Koçan.

Në Klinikën për sëmundje infektive janë hospitalizuar 64 pacientë. Në 24 orët e fundit janë pranuar gjashtë raste të reja. Tetë janë me pasqyrë më të rëndë klinike, ndërsa disa pacientë janë në gjendje tërësisht të mirë dhe ata do të testohen në ditët e ardhshme me qëllim që të analizohen gjendjet dhe nëse rezultatet dy herë dalin negativ atëherë do të lëshohen nga spitali. E njëjta tashmë filloi për 11 prej gjithsej 28 pacientëve të cilët gjenden në shërim shtëpiak në Dibër