Një i vdekur dhe një i lënduar rënde pas helmimit në një shtallë derrash në Svetinikollë

Tragjedi në një shtallë derrash në fshatin Amzabegovë të Svetinikollës. Një punëtor humbi jetën, ndërsa kolegu i tij po lufton për jetën, pasi u helmua nga substanca toksike, shkruan Pa Censurë.

Sipas informacioneve fillestare, punëtorët janë helmuar teksa po pastronin në një nga godinat e fermës. Punëtori i parë me inicialet OT, i moshës 45 vjeçare, ka rënë në gropën septike dhe ka ndërruar jetë në vend, ndërsa i dyti në moshën 53 vjeçare është transferuar në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.

Nga Klinika e Toksikologjisë bëjnë të ditur se, sipas dëshmitarëve okularë, pacienti i pranuar është afruar në gropë për të ndihmuar kolegun e tij, por nga thithja e një koncentrimi të madh të amoniakut ka humbur ndjenjat. Gjetjet fillestare janë se amoniaku ka shkaktuar dëmtime në tru, pasi personi nuk njeh askënd, ka humbur të folurën dhe shfaq lëvizje të paartikuluara. Ai nuk ndjen dhimbje dhe nuk ka gjakderdhje, por ka dëmtime të mundshme në tru, të cilat do të dihen pas 48 orësh, pasi të bëhet tomografia kompjuterike.

SPB – Shtip konfirmon se tragjedia ka ndodhur rreth orës 10:30, ndërsa rasti është raportuar gjysmë ore më vonë. Në vendin e ngjarjes kanë kontrolluar ekipet e Sveti Nikollës, prokurori publik, si dhe inspektorë të punës dhe sanitare. Trupi i pajetë i punëtorit të ndjerë do të dorëzohet për obduksion.Pa Censurë