Një grup vullnetarësh po kontribojnë në procesin e vaksinimit, dhe shumica e tyre janë vajza!


Nga Nada Dosti
Është e njohur botërisht se gratë përfaqësojnë shumicën e punonjësve të shërbimit shëndetësor (gati 70%). Andaj, besoj se nuk do t’ju habisë fakti se ⅔ e këtij grupi të rinjsh, studentë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, jane pikërisht vajza, përkatësisht 15 vajza dhe 7 djem. Edhe pse thirrja, për të kontribuar vullnetarish në procesin e vaksinimit të popullatës së Pollogut, nga Dekanati Universitetit, erdhi për vetëm dhjetë studentë, me të dëgjuar thirrjen për aplikim u përgjigjën plot 22 të tillë.

Procesi në fjalë funksionon kështu: një grup prej pak a shumë 10 vetash koordinohen me radhë me dy turne në mënyrë që qendra e vaksinimit mos të mbetet pa vullnetarë nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes. Misioni i tyre ka të bëjë me mbarëvajtjen e fazës paraprake, pra me mbledhjen e të dhënave dhe me përcaktimin e lejueshmërisë për të marrë vaksinimin.
Një ndër vullnetarët në fjalë është edhe Ajla Xhemaili e cila shprehet e lumtur se iu është besuar një përgjegjësi kaq vendimtare për shëndetin e zonës së Pollogut.

“Me kolegët po kalojmë shumë mirë dhe atmosfera është dinamike. Menduam fillimisht se nuk do të ketë fluks mirëpo që prej ditëve të para është treguar një interes i madh për t’u vaksinuar. Ja vlen të theksohet fakti se ka një laramani grupëmoshash, por ndër ta mosha e thyer është ajo e cila ka më shumë besim tek sistemi shëndetësor. Ndërsa moshat e reja, të cilët janë edhe më shumë të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme, janë ajo grupëmoshë më skeptike e cila kërkon më shumë sqarime dhe informacione në lidhje me vaksinimin.” shprehet Ajla.

Edhe në të kaluarën, Ajla ka qenë e angazhuar me nisma dhe organizata rinore vendase të cilat promovojnë pjesmarrjen e rinisë në nivel vendor dhe kombërar. Një ndër këto nisma është dhe Organizata e Studentëve të Mjekësisë në Tetovë (Macesonian Medical Student’s Association) tek e cila prej nje viti ka qenë antare dhe ka kontribuar në aspektin e organizimeve të punëtorive për qepje në lëmin e kirurgjisë. Ndërsa këtë vit është udhëheqëse e Komitetit të Shëndetit Publik, komitet i cili ka qenë përgjegjës për të organizuar disa punëtori në lidhje me muajin e endometriozës, poashtu për Covid19 ka realizur workshope dhe pritet këto ditë të organizohet një aktivitet në lidhje me Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Duhanit.

Një tjetër vullnetare që iu bashkangjit nismës është edhe Sabiha Rushiti, studente në prag të diplomimit për t’u bërë mjeke e ardhshme. Sabiha, gjithashtu nga Gostivari, është angazhuar më herët në fushën e vetëzhvillimit duke marrë pjesë në Kursin Bazik për Psikoterapi Pozitive, duke dashur kështu të kombinojë njohuritë e saja në fushën e shëndetit mendor me profesionin e saj të ardhshëm në fushën e shëndetit fizik të përgjithshëm. Dimensione të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën sipas filozofisë “një trup i shëndoshë në mendje të shëndoshë”.

Sa i përket nismës së vaksinimit ajo thotë se “Tek vaksinimi kaloj shumë mirë, sidomos në përballjen me pacientët. Edhe pse është hera e parë për mua, nuk kam pasur ndonnjë vështirësi. Për mua, është kënaqësi mund të them madje edhe privilegj që gjendem mes studentëve që japin mundin në kalimin e kësaj gjendjeje. Po ashtu jemi mirëpritur shumë mirë nga të gjitha grupmoshat. Të them të drjetën duket se shumica nuk kanë aspak frikë dhe nga deklaratat e tyre duket se kanë ardhur me vullnet të lirë jo të nxitur nga punëdhënësi apo ndonjë institucion tek i cili bëjnë pjesë.” shprehet e entuziazmuar Sabiha në lidhje me procesin e vaksinimit.

Kështu, këta djem dhe vajza janë të angazhuar në një përpjekje më shumë për të thyer stereotipin ndaj studentëve të mjeksisë për të cilët mendohet se janë të fokusuar vetëm në studime, se kalojnë gjithë jetën e tyre studentore vetëm mbi libra dhe se nuk kanë një jetë sociale, lërë pastaj edhe të merren me vullnetarizëm. Janë shembull dhe rol model, jo vetëm për brezat e ardhshëm të degës së mjeksisë por për mbarë rininë e vendit duke kontribuar nga koha e tyre për të punuar falas që i gjithë vendi të rikthehet në “normalitetin” e shumëpritur.