Një grup prej 12 personash nga Maqedonia dhe Kosova e kanë dëmtuar një bankë për mbi 10 milionë denarë

Sektori për Krime Kompjuterike pranë MPB-së ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër 12 personave, nga të cilët 10 janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy janë shtetas të Republikës së Kosovës, për kryerjen e veprave penale “lëshim çeku pa mbulim dhe keqpërdorim të kartelës së pagesës”, të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 274, paragrafi 2 të Kodit Penal dhe veprës penale “bashkëkryerje”, të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 22 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 274, paragrafi 2 “lëshim çeku pa mbulim dhe keqpërdorim të kartelës së pagesës”.

Gjatë janarit të vitit 2023, të akuzuarit kanë kryer keqpërdorim të kartelave të pagesës (mashtrim me kthimin e blerjeve) të lëshuara nga një bankë në Maqedoninë e Veriut, duke përdorur kompani të huaja aktive (me terminal fizik ose virtual) përmes të cilave janë inicuar autorizime të paautorizuara për kthimin e fondeve (refund), të cilat transaksione nuk janë dërguar në bankë si transaksione për regjistrim, dhe për këtë arsye nuk kanë ndikuar në transaksionet reale në pikën e shitjes, por në anën tjetër, në mënyrë jo reale është rritur gjendja e llogarisë së kartelës së pagesës që është përdorur për transaksionin për shumën e kthimit të kryer.

Në këtë mënyrë, të akuzuarit si përdorues të kartelave të pagesës kanë përdorur këto fonde për nevojat e tyre personale dhe në mënyrë të paautorizuar janë pasuruar me përfitim të paligjshëm të pronës në një shumë totale prej 10,719,807 denarësh, duke dëmtuar bankën që lëshonte kartelat e pagesës për të njëjtën shumë.