Një grua nga Maqedonia ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në Greqi, i cili ndodhi pranë qytetit Niseli në autostradën që lidh Selanikun me Verian dhe Igumenicën në Greqinë perëndimore.
Sipas mediave greke, viktima është një grua 30-vjeçare nga Shkupi, ndërsa tre gra të tjera që ndodheshin në makinë me të ndjerën u plagosën rëndë. Njëra nga të plagosurat, një maqedonase, u intubua dhe u dërgua në spital në Selanik nga shërbimi grek i shpëtimit. Një tjetër grua 27-vjeçare është në gjendje serioze dhe po i nënshtrohet një operacioni në spitalin e qytetit Veria.
Automjeti nga Maqedonia ishte më i dëmtuari dhe plotësisht i shtypur nga ana e pasme. Në pamjet e publikuara nga mediat greke, shihet se e ndjera dhe të plagosurit u nxorën me ndihmën e zjarrfikësve, të cilët përdorën pajisje të posaçme dhe prenë makinën. Policia greke po kryen hetimet.
Gjithashtu, një burrë 74-vjeçar u plagos në aksidentin ku humbi jetën turistja nga Maqedonia. Në aksident u përfshinë tre automjete.