Një gjykatë ruse ka dënuar Google, duke kërkuar që kompania të paguajë 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000 dollarë

Kjo gjobë tejkalon shumë Prodhimin e Brendshëm Bruto global, i cili, sipas Bankës Botërore, vlerësohet të jetë rreth 100 trilionë dollarë, raportoi Independent. Kjo do të thotë se Google do të duhet të gjejë shumë më tepër para sesa aktualisht ekzistojnë në Tokë për të përmbushur këtë urdhër gjykate.

Procesi kundër Google ka zgjatur katër vjet, që nga viti 2020 kur YouTube bllokoi kanalin e ultranacionalistit “Tsargrad” si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane të vendosura ndaj pronarit të kanalit. Pas fillimit të luftës në Ukrainë më 2022, u bllokuan edhe 17 kanale të tjera, përfshirë kanale si “Zvezda”, që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes ruse.

Për shkak të largimit të këtyre kanaleve, një gjykatë ruse e thirri Google në përgjegjësi sipas nenit 13.41 të Kodit të Shkeljeve Administrative. Gjykata urdhëroi kompaninë që t’i kthente kanalet në platformë, por Google nuk e bëri këtë, duke shkaktuar masa të mëtejshme ligjore.

Fillimisht, gjoba ishte 100,000 rubla në ditë (rreth 1,025 dollarë), por dyfishohej çdo javë, duke çuar shumën aktuale në 20 deksilionë dollarë.